NGA: ENIDA HIMAJ* Edhe pak orë na nda jnë nga emri i fitues it të “Big Brother 8”. Përmbyllet kështu sonte aventura e konkurrentëve, që prej 100 ditë me radhë shoqëroi shqiptarët. Ashtu si ka ndodhur çdo vit, edhe këtë edicion konkurrenca ka qenë e ashpër. Që në javët e para kanë spikatur liderët e shtëpisë, karaktere që sot janë në garë për çmimin e madh. Publiku është ai që ka dhe peshën më të madhe të kësaj loje, ku nëpërmjet votimit i ka çuar deri në këtë pikë të lojës. Po nga ana tjetër, edhe rrjetet sociale kanë pasur një rol të rëndësishëm këtë vit. Finalistët janë dhe banorët që kanë pasur numrin më të lartë të ndjekësve në “Facebook”. E nëse fituesi do të matet me ndjekësit që ka në këto rrjete, pa dyshim që djaloshi nga Kosova do të ishte ai që do të rrëmbente çmimin e parë. Veseli mund të konsiderohet edhe “mbreti” i “Facebook”-ut për këtë edicion, ku ka në “fan page”-n e tij rreth 29 mijë ndjekës.

Faqja e tij është gjithnjë aktive, me lajme, foto si dhe të dhëna të reja rreth jetës së djaloshit jashtë shtëpisë. I dyti në rrjetet sociale renditet “Fatjoni”, që ka në llogarinë e tij 26 mijë ndjekës. Edhe pse nuk është ndër banorët më të bujshëm, të paktën jashtë, Fabiani renditet i treti, me 9 mijë ndjekës në “Facebook”. Xhensila dhe Alba janë dy banoret që pasojnë në listë, me përkatësisht 8 mijë ndjekës Xhensila dhe 7 mijë ndjekës Alba. E fundit në listë është Eleonora, e cila, edhe pse gëzon një popullaritet shumë të madh, në “fan page”-n e saj ka vetëm 5 mijë ndjekës. Megjithatë, ky është vetëm një tregues, sepse janë votat e publikut nga mesazhet ato që e përcaktojnë fituesin. Ndryshe nga vitet e tjera, gara këtë vit ka qenë edhe më e ashpër.

Eleonora është ndër më të votuarat nga publiku, çfarë e shndërron në një kandidate potenciale për të fituar. Nga ana tjetër, Fatjoni është ndër personazhet që me publikun ka pasur një histori dashuri-urrejtje, por ia ka dalë t’u shpëtojë disa nominimeve. Vajza nga Tirana, Alba, me sa duket është një ndër kandidaturat që ka marrë vota të shumta nga publiku, vota që mund t’i japin dhe fitoren. Këtë vit përballja do të jetë më e fortë, ku çmimi i parë do të jepet mes treshes Alba-Fatjon-Eleonora. Konkurrenca ndihet edhe në pikat e bastit, ku veçmas sportit, këtë të shtunë luhet edhe për fituesin e “Big Brother”. Janë këta tre banorë që kanë koeficientin më të lartë për ta fituar këtë lojë.

ALBA
Vajza ekstravagante nga Tirana ra në sy që ditët e para në “Big Brother”. Që në krye të herës ajo deklaroi se kishte hyrë beqare dhe e tillë do të dilte nga kjo lojë. Por ky premtim nuk zgjati shumë, sepse shumë shpejt djaloshi nga Kosova, Diedoni i rrëmbeu zemrën. Pas gati 2 muajsh në çift, Alba tregoi se di të jetë një lojtare e fortë edhe vetëm. Pas shumë debatesh, nominimesh, madje dhe shumë lotësh që 25-vjeçarja ka derdhur në shtëpi, Alba është një ndër banoret më pranë fitores.

FATJONI
Djaloshi nga Skrapari u duk si një karakter i ashpër, megjithatë, me javën na tregoi se nuk është aspak i tillë. Edhe pse me ide të qarta dhe shumë i fokusuar te loja, Fatjoni gjeti kohë dhe për dashuri. Prej disa kohësh ai po jeton një histori të bukur dashurie me Xhensilën. Çifti brenda në shtëpi ka thyer tabu, duke e jetuar historinë e tyre pa komplekse deri në intimitet. Fatjoni që nga dita e parë nuk u është trembur konflikteve, sfidave, madje dhe lojërave të ndryshme. 100 ditët e tij kanë qenë ndër më të pëlqyerat për publikun, ndaj dhe sot Fatjoni është një ndër kandidatët për ta fituar këtë lojë.

VESELI
Mund të konsiderohet pa frikë si surpriza e këtij viti. Djaloshi nga Kosova hyri pas mesit të lojës, megjithatë është ndër banorët më të pëlqyer. Biondi simpatik u bë pjesë e historisë së Fisnikut dhe Teas, duke krijuar një trinom dashurie. Shumë shpejt djaloshi mori vëmendjen e gjithë publikut. Loja e tij brenda shtëpisë, veçmas flirtit me Tean, pati edhe debate të forta me Fatjonin, çfarë e pozicionoi shumë shpejt si finalist. Prej mbështetjes që i është bërë jashtë, Veseli është sot një prej kandidatëve për ta fituar këtë lojë. Si i vetmi banor nga Kosova, ai ka deri më tani numrin më të madh të votave të shtetit fqinj.

ELEONORA
Që në fillim të lojës, e ka deklaruar se është bërë pjesë e sfidës për të marrë paratë. “Kam ardhur për punë”, është deklarata që shpesh ‘zysha’ ka bërë nëpër shtëpi. Pa aleanca dhe me pak miq, Nora është një ndër lojtaret më të pëlqyera sot nga publiku jashtë. Pas disa nominimeve, Eleonora ka treguar se e meriton plotësisht këtë finale. Edhe pse jo shumë aktive në rrjetet sociale dhe pak prezente në shtypin e shkruar, ajo ka një numër të madh ndjekësish që e kanë votuar përgjatë tre muajve në shtëpi. Edhe në këtë finale, Eleonora është një ndër emrat më të mundshëm për ta marrë këtë çmim.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: