Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Pas testimit të infermierëve në spitalet universitare, sot dhe nesër do të zhvillohet procesi për vlerësimin e njohurive dhe aftësive të personelit infermieror në kujdesin shëndetësor spitalor rajonal. Pjesa më e madhe e këtij personeli shëndetësor do të testohet ditën e sotme, ndërkohë që në varësi të spitalit, do të ndahen në 2, 3 apo 4 grupe të ndryshme. Në testim do të përfshihen 11 spitalet rajonale, ndërkohë që në Korçë, Shkodër dhe Berat procesi do të shtrihet edhe në datën 29 gusht. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” zbardh kalendarin e plotë, sipas datave e orareve në spitalet rajonale në shkallë vendi.
Testimi
Vlerësimi i njohurive dhe aftësive do të zgjasë një orë, ndërkohë që më herët, Ministria e Shëndetësisë publikoi dhe fondin e pyetjeve që do të bien në testim. Pyetjet janë të ndara në 16 kategori të ndryshme, e më konkretisht: Aparati lokomotor, dekubituset, eliminimi, etika dhe komunikimi, gjumi dhe pushimi, infeksionet spitalore, lëngjet dhe elektrolitet, medikamentet, menaxhimi i dhimbjes, oksigjenimi, shenjat vitale – siguria e pacientit, stresi, testet diagnostike, urgjenca, ushqyerja dhe higjiena e të tjera.
Rregullorja
Ndërkaq, duke iu referuar rregullores, nga testimi i infermierëve të sistemit spitalor do të përjashtohen tri kategori të veçanta. Sipas saj, nga procesi i vlerësimit të aftësive, për vitin 2015 do të përjashtohen infermieret femra të lindura përpara datës 1 janar 1958, infermierët meshkuj të lindur përpara datës 1 janar 1953 si dhe personeli infermieror që është licencuar nga Urdhri i Infermierit pas datës 1 janar 2014. Dy kategoritë e para përjashtohen për shkak se janë në prag të pensionit, e për pasojë, pas vlerësimit të njohurive, nuk do të kenë mundësi të ndjekin programet e edukimit në vazhdim, që do të financohen nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë që, infermierët e licencuar përgjatë vitit 2014 e deri më tani, nuk do të futen në provim, pasi është shumë herët për të ritestuar njohuritë e tyre pas Provimit të Shtetit. Rregullorja përcakton se, vlerësimi i njohurive dhe aftësive praktike për të gjithë personelin infermieror, që ushtrojnë profesionin e tyre në sistemin shëndetësor publik, të punësuar në shërbimin spitalor universitar, rajonal dhe në shërbimin parësor, do të kryhet çdo 2 vjet.
Qëllimi
Testimit të njohurive dhe aftësimit praktik pritet t’u nënshtrohen rreth 13 mijë infermierë, ndërkohë që ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka sqaruar se qëllimi i këtij procesi nuk është penalizimi i bluzave të bardha për vendin e punës. Sipas tij, arsyeja kryesore e zhvillimit të këtij procesi është “fotografimi” i nivelit të profesionalizmit te profesionistët e shëndetësisë, dhe më pas, në kuadër të programit të ri të ricertifikimit, që do të fillojë këtë vit, të hartohen kurse të edukimit në vazhdim, që janë në përputhje me nevojat konkrete për njohuri. Testimit do t’i nënshtrohen edhe 3700 mjekët e sistemit shëndetësor.
DATA DHE ORA E TESTIMIT TË INFERMIERËVE, SIPAS RRETHEVE
Spitali Rajonal Lezhë, datë 28.08.2015, ora 09:00-10:00 dhe ora 13:00-14:00
Spitali Rajonal Gjirokastër, datë 28.08.2015, ora 12:00-13:00 dhe ora 15:00-16:00
Spitali Rajonal Durrës, datë 28.08.2015, ora 13:00-14:00 dhe ora 15:00-16:00
Spitali Rajonal Berat, datë 28.08.2015, ora 11:00-12:00 dhe datë 29.08.2015, ora 11:00-12:00
Spitali Rajonal Shkodër, datë 28.08.2015, ora 10:00-11:00 dhe datë 29.08.2015, ora 15:00-16:00
Spitali Rajonal Kukës, datë 28.08.2015, ora 12:00-13:00 dhe ora 14:00-15:00
Spitali Rajonal Dibër, datë 28.08.2015, ora 12:00-13:00, ora 13:30-14:30 dhe ora 15:00-16:00
Spitali Rajonal Elbasan, datë 28.08.2015, ora 09:30-10:30, ora 11:00-12:00 dhe ora 12:30-13:30
Spitali Rajonal Fier, datë 28.08.2015, ora 11:00-12:00 dhe ora 12:30-13:30
Spitali Rajonal Korçë, datë 28.08.2015, ora 11:00-12:00 dhe datë 29.08.2015, ora 11:00-12:00
Spitali Rajonal Vlorë, datë 28.08.2015, ora 11:00-12:00 dhe ora 13:00-14:00
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
