Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka reaguar në lidhje me kërkesën që SPAK ka bërë për të arrestuar ligjvënësin socialist, Alqi Bllako.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’, Salianji, duke iu referuar faktit se sot pritet mbledhja e Këshillit të Mandateve, tha se askush nuk e di se cila është arsyeja apo arsyet që Kuvendi i Shqipërisë iu mban të fshehur anëtarëve të Këshillit, dokumentacionin e dërguar me SPAK.

REAGIMI I SALIANJIT
Dje, rreth orës 18:35, në postën elektronike të anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ka mbërritur një email nga sekretaria e Kuvendit, ku njoftohen për mbledhjen e ditës së nesërme në orën 18:00 për shqyrtimin e kërkesës së SPAK. Në email thuhet se dokumentacioni shoqërues i kërkesës është gati dhe mund të tërhiqet pranë sekretarisë ditën e nesërme.
Por, e vërteta është se as ditën e nesërme në mëngjes dhe deri më tani, kur na ndajnë më pak se katër orë nga fillimi i mbledhjes së Këshillit, materialet nuk na janë vënë në dispozicion. Kjo në kundërshtim flagrant me Rregulloren e Kuvendit, e cila në nenin 118, pika 1 parashikon se kryetarja e Kuvendit ia dërgon kërkesën dhe dokumentacionin përkatës menjëherë anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.
Askush nuk e di se cila është arsyeja apo arsyet që Kuvendi i Shqipërisë iu mban të fshehur anëtarëve të Këshillit, dokumentacionin e dërguar me SPAK. Por, ajo që ne dimë me siguri është se sot pushteti dhe veglat e tij janë në hall, dhe mbi të gjitha se ajo që po bëjnë është një tjetër shkelje flagrante e ligjit. Halli i qeverisë nuk janë zyrtarucët që i ka përdorur dhe më pas i ka lëshuar, halli i tyre është koka e grupit!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb