Dinamo pritet të bëjë sot dy zyrtarizimet që tifozët po presin më së shumti. Saliu Sembene dhe Andi Hadroj kanë kaluar me sukses vizitat mjekësore dhe tashmë janë gati për t’u bashkuar me Dinamon.
Të dy futbollistët pritet të jenë në dispozicion të trajnerit që në ndeshjen e radhës, megjithëse fizikisht kanë ende nevojë për pak punë për të kapur ritmin optimal të skuadrës. Afrimet e reja pritet t’i japin Dinamos më shumë alternativa dhe konkurrencë në grup, teksa Sembene dhe Hadroj do të synojnë të përshtaten sa më shpejt me ekipin. Të dy lojtarët e njohin shumë mirë kampionatin shqiptar dhe së fundmi kanë luajtur me Partizanin në Shqipëri, duke qenë ndër më të spikaturit.
Sembene u largua gjatë verës nga të kuqtë, duke qëndruar në Shqipëri, ndërsa Hadroj rikthehet pasi e provoi veten në kampionatin ukrainas, duke shtuar kështu alternativat në krahun e djathtë të mbrojtjes për trajnerin Daja.
Ndeshja e radhës për Dinamon, do të jetë të shtunën në orën 18:30 në “Elbasan Arena” kundër Laçit, me blutë që do të tentojnë fitoren e katërt radhazi.
