Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet pasurore dhe ka dërguar për gjykim procedimin nr. 5 të vitit 2025, duke kërkuar konfiskimin e 16 pasurive të paluajtshme në pronësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të Nikolin Gjolenës, Klevent Gjolenës dhe personave të lidhur me ta. Pasuritë, të ndodhura në Tiranë dhe Durrës, kanë një vlerë tregu që kalon 2 milionë euro.
Kërkesa është depozituar më 6 nëntor 2026 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, në bazë të ligjit antimafia, i cili parashikon masa parandaluese ndaj pasurive që dyshohet se burojnë nga veprimtari kriminale.
Hetimi pasuror lidhet me procedimet penale të regjistruara ndaj Nikolin dhe Klevent Gjolenës për trafikim të lëndëve narkotike, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal.
Çështja ka lidhje me sekuestrimin e 485.5 kilogramëve kokainë, më 24 nëntor 2022, në fshatin Frakull e Madhe të Fierit. Sasia e drogës ishte fshehur në një ngarkesë me pleh organik artificial, e cila ishte transportuar nga Kolumbia drejt Shqipërisë.
Për këtë dosje, Nikolin Gjolena është dënuar me 11 vite e 4 muaj burgim. Vendimi është dhënë më 26 qershor 2024 nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe është lënë në fuqi nga Apeli i Posaçëm më 30 dhjetor të po atij viti.
16 pasuritë që SPAK kërkon të konfiskojë
Nga hetimet pasurore janë identifikuar 16 prona të paluajtshme, të regjistruara në emër të dy personave nën hetim, familjarëve të tyre dhe personave të tjerë të lidhur me ta.
Bëhet fjalë për tre apartamente dhe dy garazhe në Tiranë, si dhe tri njësi tregtare e tetë apartamente në zonën e Plazhit, në Durrës.
Në kryeqytet, pasuritë ndodhen në rrugën “Shinasi Dishnica” dhe në një zonë të regjistruar me ZK 8130. Ato përfshijnë apartamente me sipërfaqe 75.7, 69.8 dhe 68.85 metra katrorë, si dhe dy garazhe, secili me sipërfaqe 40.3 metra katrorë.
Ndërsa në Durrës, në lagjen 13, zona e Plazhit, SPAK ka identifikuar tri njësi tregtare me sipërfaqe 165, 100 dhe 60 metra katrorë, si dhe tetë apartamente me sipërfaqe që variojnë nga 60.5 deri në 91.6 metra katrorë.
Transferta nga parajsat fiskale, mbi 400 mijë euro dhe 42 mijë dollarë
Një nga elementet që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve janë edhe transfertat monetare të përdorura për financimin e disa prej pasurive.
Sipas SPAK, nga aktet e administruara gjatë hetimit janë evidentuar pesë transferta në shuma të konsiderueshme, konkretisht 404.733 euro dhe 42.942 dollarë amerikanë. Paratë janë transferuar në emër të familjarëve të personave nën hetim dhe kanë ardhur nga vende të ndryshme të Amerikës Qendrore dhe rajonit të Karaibeve, të cilat konsiderohen parajsa fiskale.
Pas analizimit të dokumentacionit dhe kryerjes së ekspertimit kontabël, Prokuroria e Posaçme ka arritur në përfundimin se ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të bazuara në indicie, se Nikolin Gjolena, Klevent Gjolena dhe personat e lidhur me ta nuk kanë arritur të provojnë ligjshmërinë e të ardhurave të përdorura për krijimin e këtyre pasurive.
SPAK bën të ditur se vlera e pronave në momentin e nënshkrimit të kontratave ka qenë rreth 1 milion euro, ndërsa sipas çmimeve aktuale të tregut, vlera e tyre vlerësohet në më shumë se 2 milionë euro.
Tashmë kërkesa për konfiskimin e 16 pasurive do të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme.
