Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me EUROPOL dhe autoritete ligjzbatuese nga disa vende të BE-së, ka goditur një nga organizatat shqiptare më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të kokainës, e cila kishte kapacitet të ndikonte drejtpërdrejt në çmimin e drogës në tregjet europiane.

Hetimet, të nisura mbi bazën e të dhënave të komunikimeve të enkriptuara të platformës SkyECC, zbuluan se grupi drejtohej nga shtetasit Elvis Çela dhe Franc Çopja, me bazë në Paraguai, të cilët kontrollonin të gjithë zinxhirin e trafikut — nga prodhimi dhe fshehja e drogës në ngarkesa legale, deri te shpërndarja dhe pastrimi i të ardhurave.

Anëtarët e grupit kriminal

-Riza Çela

-Ardian Çela

-Albin Çela

-Elvis Çela (Vëllezër)

-Fadil alias Jul Balla pronari Ajman Resort

-Franc Çopja, i arrestuar ne Belgjikë

-Petrit Sulejmani alias Lakatos

-Mariglen Kamami

-Denis Daja

-Kujtim Gjyla

-Renato Musaka

-Vilson Pepa

-Dition Pepa, detyrim paraqitje

-Miklovan Mullai

-Gert Çerma

Ngarkesat e sekuestruara

Autoritetet ndërkombëtare kanë goditur dy ngarkesa rekord kokaine të organizuara nga ky grup:

-Nëntor 2020: 11.6 ton kokainë të fshehura në kuti sapuni dhe boje metalike, sekuestruar në portin e Anversit, Belgjikë.

-Shkurt 2021: 16.4 ton kokainë të fshehura në bombola metalike, sekuestruar në Hamburg, Gjermani, me vlerë tregu deri në 3.5 miliardë euro.

Arrestimet dhe masat e sigurimit

Gjykata e Posaçme ka caktuar masën “arrest në burg” për 14 persona dhe “detyrim paraqitje” për 2 të tjerë. Deri tani janë ekzekutuar 9 masa sigurie në Shqipëri, ndërsa një nga drejtuesit, F.C., është arrestuar në një vend të BE-së. Po punohet për ndalimin e 6 të tjerëve.

Pastrimi i parave

Hetimet zbuluan një skemë të sofistikuar pastrimi parash, që përfshinte transport fizik të shumave të mëdha “cash” nga BE drejt Shqipërisë përmes shoferëve të autobusëve ndërkombëtarë, si dhe përdorimin e sistemit informal “hawala” për të shmangur gjurmët bankare.

Pasuritë e sekuestruara

Me vendim gjykate janë sekuestruar 14 pasuri me vlerë disa miliona euro, përfshirë:

-Resort turistik në Xhafzotaj, Durrës

-Vila luksoze në Dhërmi dhe Tiranë

-Tokë dhe ndërtesa në Tiranë

-Kuota në disa shoqëri tregtare

-Tre automjete

-Rreth 112 mijë euro cash, 4 mijë USD dhe 880 mijë lekë

Bashkëpunimi ndërkombëtar

Operacioni u zhvillua në koordinim me Europol, Eurojust, policitë federale të Belgjikës, Francës, Gjermanisë, Holandës dhe Italisë. SPAK theksoi se ky bashkëpunim ishte vendimtar për goditjen e një strukture kriminale që vepronte në shkallë globale dhe që kishte ndërtuar një mekanizëm të aftë të rikuperonte shpejt humbjet nga sekuestrimet.

Prokurorët Altin Dumani dhe Vladimir Mara e cilësuan grupin si një nga më të fuqishmit e hetuar ndonjëherë nga SPAK, me ndikim të drejtpërdrejtë në tregun europian të kokainës.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb