Raportimi i kreut të SPAK, Altin Dumani para KLP-së është shoqëruar edhe me debate.

Në një moment, Dumani është përfshirë në debat me një prej anëtarëve të KLP-së, Tartar Bazaj.

Ky i fundit e pyeti Dumanin nëse prokurorët e SPAK mund të paraqesin rrezikshmëri për kandidatët e tjerë për prokurorë dhe nëse mundet që prokurorët të bëhen të rrezikshëm për shoqërinë?

Përgjigjja e Dumanit ishte e menjëhershme, madje edhe me tone të larta.

Debati

Anëtari i KLP, Tartar Bazaj: Pak prokurorë mund të gjesh me integritet, njoh me qindra që kanë integritet, të gjithë prokurorët e Republikës, të kërkoj ndjesë nëse e kapa ashtu, nëse Altin Dumani do ta konsideronte veten para daljes në pension, do të ishte aq efektiv, atë punë sa punon Altin Dumani natë dhe ditë? A mund të sillte rrezikshmëri shoqërore nëse këta prokurorë do të merrnin mandat sa të dilnin në pension, të shkelnin edhe të drejtat e njeriut nesër, mund të ketë efekte të tjera politike, po marr krahun e kundërt në këtë medalje, paraqet rrezikshmëri shoqërore dikush?

Dumani: Përdorni këtë logjikë edhe me gjyqtarët, pse ata nuk bëhen të rrezikshëm? Nuk bien në energjitë e tyre që janë pa mandat fare? Thashë rënie mundësie për të kandiduar, nuk thashë automatike, rrezikshmëria e prokurorëve dhe gjyqtarëve, si qenka e rrezikshme? Çfarë do të thuash konkretisht, këto janë themeltaret që i kemi mësuar në shkollë, çfarë do të thuash? Me kalimin e viteve, nuk je më i njëjti, fuqia, por ne kontrollohemi, prokurorët jemi njerëzit më të kontrolluar, nuk ka si të vijë rreziku përderisa monitorohemi nga institucionet e tjera. Ne kontrollohemi nga gjyqtarët e hetimit paraprak, kontrolle çdo ditë. Monitorohemi nga ju, ndaj dhe jam këtu sot. Drejtuesi i SPAK raporton në Kuvend, ILDKPI na kontrollon asetet tona, monitoron çdo lëvizje të llogarive tona. Jemi njerëzit më të kontrolluar. Këtë as nuk duhet ta mendosh si anëtar, zoti Bazaj (ngre tonet).

Anëtarja e KLP: Nuk ka si të vijë rreziku kur na kalon mosha, kur kemi atë eksperiencë, kemi mundësi përmes moshës të rrisim profesionalizmin tonë. Pritshmëritë tona janë dashamirëse, kështu mendoj unë duhet t’i shikoni pyetjet.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb