Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar me një deklaratë të fortë menjëherë pas lajmit të bujshëm për rëndimin e akuzave nga SPAK dhe sekuestrimin e vilës luksoze të Belinda Ballukut në Dhërmi.
Shehaj e ka cilësuar këtë si një tjetër goditje dërrmuese për mazhorancën socialiste. Ai akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama se ka përdorur kartonët e Parlamentit për të mbrojtur ish-zv.kryeministren nga arrestimi, ndërsa kërkoi që Kuvendi të mos bëhet më mburojë e zyrtarëve të korruptuar.
Shehaj vuri në dukje se dy akuzat e reja të ngritura nga Prokuroria e Posaçme – ajo e korrupsionit pasiv dhe pastrimit të parave – janë fatale për numrin dy të qeverisë, duke kujtuar se ajo u shpëtua nga prangat vetëm falë votës politike në Kuvend.
“Nga protesta e qytetarëve ka dalë një tjetër goditje për mazhorancën. Dy akuza të reja për Ballukun, e cila i shpëtoi arrestimit falë mbrojtjes në Parlament. Ka dy akuza shumë të rënda, korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale. E vërteta është se kjo është akuzë shumë e rëndë për zv.kryeministren që Rama mbrojti në Parlament,” deklaroi kreu i Partisë “Mundësia”.
Më tej, Shehaj ngriti pyetjen nëse kryeministri do të vazhdojë ta mbajë nën mbrojtje vartësen e tij më të rëndësishme apo do të detyrohet ta dorëzojë përpara drejtësisë, duke paralajmëruar se opozita do të kërkojë votim të menjëhershëm sapo SPAK të sjellë shresën zyrtare.
“A do thotë Rama sërish se këto janë akuza të lehta apo do e dorëzojë? Sapo të vijë kërkesa në Parlament për arrestimin e Ballukut, Parlamenti duhet të lejojë arrestimin e saj,” përfundoi Shehaj.
