TIRANE- Spartak Braho e konsideron një gabim të rëndë të LSI-së refuzimin e koalicionit me PS në zgjedhjet e fundit.

“Siç dihet në zgjedhjet e vitit 2017 të dy forcat politike hynë me vete në zgjedhje. LSI-ja e refuzoi koalicionin me PS-në. Pavarësisht arsyeve, për mendimin tim LSI-ja gaboi rëndë në këtë pozicionim. Ambientet dhe rrethet e kontaminuara përqark dy liderëve natyrisht që ndikuan negativisht”, thotë Braho në një intervistë për gazetën “Dita”.

Ai mendon se ndarja PS-LSI tashmë është e pakthyeshme.

“Tani ndarja ndërmjet PS-së dhe LSI-së është e madhe, me gjasa përfundimtare, sa kohë që secila palë ecën në krah të kundërt. Koha padyshim do të jetë gjykatësi më i mirë. Koha do të më gjykojë edhe mua nëse bëra mire që pranova ftesën për të qenë efektivisht pjesë e strukturave politike të PS-s”, shprehet Braho.

Duke folur për detyrën e re, atë të këshilltarit pranë kryeministrit, ish-deputeti thotë:

“Nuk është e thënë që politikën e shtresave që përfaqëson, e bën vetem duke qenë deputet. Kryeministri Rama ka vendosur të këshillohet nga socialistët e vjetër e me përvojë. Dhe këto raporte pune dhe bashkëpunimi i ka vendosur me shumë prej tyre. Edhe me Fatos Nanon, edhe me Gramoz Ruçin, zgjedhja e të cilit në krye të Kuvendit ishte brenda kësaj logjike. Thirrja dhe afrimi im si këshilltar pranë zyrës së tij ishte përsëri në vazhdën e këtij vlerësimi”.

Braho është dakord me vlerësimet e kryeministrit në debatin e ditëve të fundit për median. Ai mendon se media sot “kondicionohet nga mungesa e profesionalizmit dhe varfëria ideore e një pjese të gazetarëve”.

“Në Shqipëri nuk ka gazetarë investigativë të mirëfilltë, ata janë të rrallë dhe gjenden me shumicë gazetarë spekulantë, mitomanë të lajthitur, hallexhinj që përdoren, që yshten e paguhen”, thotë Braho.

Duke komentuar hetimet ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Braho thotë:

“Prokuroria po vazhdon hetimin për ish-ministrin e Brendshëm dhe Saliu duhet të heshtë, pasi i ngjan rastit kur “hajduti bërtet kapeni hajdutin”. Përse nuk angazhohet prokuroria me akuzat që nxjerr apo paraqit çdo javë në media Izet Haxhia ndaj Sali Berishës, si bashkëpunëtorë në vrasjen e Azem Hajdarit? Çudi e madhe!!”.

I pyetur për të famshmen “çanta e zezë”, Spartak Braho nuk i shmanget përgjigjes:

“Çanta e zezë që ende kujtohet, ka patur simbolikën në kontekstin e një ngjarje të caktuar, siç ishte çështja “Meta-Prifti” ose “7 apo 700”. Në atë proces hetimor e gjyqësor u luftua me filmime dhe antifilmime, me përgjime e anti përgjime, me intriga e falsifikime. U implikuan goxha aktorë, personazhe politike e biznesmenë me historira, karaktere nga më monstruozet. I angazhuar për të ndihmuar në sqarimin e situatës në një emision ‘Opinion’ unë isha i pranishëm së bashku me materialet dhe ekspertizën e nevojshme sqaruese, të futura në një çantë dore. E thashë edhe më sipër çanta e zezë ishte simbolika dhe vetë memoria e asaj çështje që bëri bujë. Me sa shoh tani, çantat fizike janë zëvendësuar me çanta dixhitale, dhe i kanë nxjerrë jashtë përdorimit të parat”./gazetadita/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb