6 gola të shënuar, 3 penallti, raste për shënim dhe shumë polemika. Spanjë-Brazil të krijonte përshtypjen se ishte një sfidë e denjë për një finale Botërori, kurrsesi një test miqësor. “Furia e kuqe”, rivalët e Shqipërisë në “Euro2024”, ishin të papërmbajtshëm në pjesën e parë duke dominuar 5 herë kampionët e botës në çdo aspekt.

Në minutën e 12-të, Yamal vodhi një penallti, e konvertuar në gol nga Rodri. Goli i dytë nga Dani Olmo ishte spektakolar, me sulmuesin e Leipzig që çmontoi mbrojtjen e Brazilit duke dyfishuar shifrat. Në fundin e pjesës së parë, një gafe e portierit Unai Simon bëri që ndeshja të hapej, me Rodrygon që realizoi një gol shumë të bukur me një parabël të ëmbël.

Spektakli nuk kishte fund, pasi me fillimin e pjesës së dytë, Endrick, talenti 17-vjeçar, i hedhur si zëvendësues, me një goditje të fortë brenda në zonë barazoi shifrat në 2-2. Edhe fundi i sfidës ishte zjarr, me gjyqtarin e takimit që akordoi edhe dy penallti, nga një për çdo ekip.

Në minutën e 87-të, Carvajal fitoi një 11-metërsh të dyshimtë, sërish i konvertuar në gol nga Rodri, me mesfushorin e Man.City që kompleton “dopietën” e tij. Në minutën e 97-të, Carvajal këtë herë shkaktoi penallti. Nga pika e bardhë, Paqueta i tregua i saktë duke barazuar shifrat në 3-3. Në fund kishte dhe tension mes dy kampeve.

Në Brazil nuk e kanë pritur mirë këtë barazim përballë Spanjës, duke akuzuar gjyqtarin e takimit, por dhe FIFA-n, teksa presidenti i Federatës Braziliane i është drejtuar FIFA me një letër ku kërkon nga kjo e fundit aplikimin e VAR në ndeshjet që do të luajë përfaqësuesja e tij, edhe kur bëhet fjalë për teste miqësore: “VAR është dhe duhet të aplikohet edhe në këto ndeshje. Ne si Federatë e përdorim VAR edhe në kategoritë A,B,C,D edhe të moshat, përse nuk përdoret këtu”, u shpreh Ednaldo Rodrigues, presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: