Anëtari i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, Clarence Thomas, ka pranuar për më shumë se dy dekada udhëtime luksoze pothuajse çdo vit nga donatori republikan Harlan Crow, pa i raportuar ato në formularët e të dhënave financiare, njoftoi ProPublica.

Në një artikull të gjatë të botuar të enjten, organizata jofitimprurëse e gazetarisë investigative ka detajuar historinë e udhëtimeve të ndryshme që gjykatësi Thomas ka bërë në jahtin dhe avionin privat të sipërmarrësit Crow, si dhe në vendpushimin privat të zotit Crow në Adirondacks. Sipas ProPublica, një udhëtim i vitit 2019 në Indonezi, mund të kishte kushtuar më shumë se 500 mijë dollarë nëse vetë gjykatësi Thomas do të kishte marrë me qira avionin dhe jahtin.

Anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarëve të tjerë federalë u kërkohet të paraqesin një raport vjetor mbi të dhënat financiare, në të cilin ata duhet të raportojnë dhuratat që kanë marrë. Nuk është e qartë pse gjykatësi Thomas nuk i ka raportuar këto udhëtime, por sipas një udhëzuesi të drejtësisë, të analizuar nga agjencia e lajmeve Associated Press, ushqimi, fjetja ose argëtimi në banesën “personale të një individi” nuk ka nevojë të raportohet nëse ajo është pronë personale atij individi ose e familjes së tyre. Sipas këtij interpretimi, përjashtimi nga raportimi nuk supozohet të mbulojë “transportin privat që zëvendëson atë komercial” dhe pronat e një entiteti ekonomik.

ProPublica, në artikullin e saj, thotë se gjykatësi Thomas nuk iu përgjigj një liste të detajuar të pyetjeve lidhur me këtë çështje. Muajin e kaluar, gjyqësori federal përforcoi rregullat mbi raportimet financiare për të gjithë gjyqtarët, duke përfshirë anëtarët e Gjykatës së Lartë, megjithëse kalimi i netëve në shtëpitë e pushimeve në pronësi të miqve mbetet i përjashtuar.

Vitin e kaluar, pyetjet rreth etikës së gjykatësit Thomas u ngritën kur u zbulua se ai nuk ishte tërhequr nga diskutimi i çështjeve të lidhura me zgjedhjet e vitit 2020, pavarësisht nga fakti se bashkëshortja e tij, aktivistja konservatore Virginia Thomas, kishte nxitur ligjvënësit dhe Shtëpinë e Bardhë në kundërshtimin e rezultatit të zgjedhjeve. Historia e fundit ka të ngjarë të rrisë thirrjet që gjyqtarët të miratojnë një kod të ri etike dhe të përmirësojnë rregullat e raportimit të udhëtimeve dhe dhuratave të tjera.

Përmes një deklarate, sipërmarrësi Crow tha për rrjetin ProPublica se ai dhe bashkëshortja e tij kanë qenë miq të gjykatësit Thomas dhe bashkëshortes së tij që nga viti 1996, pesë vjet pasi Clarence Thomas ishte emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë. Zoti Crow tha se “mikpritja që kemi ofruar për familjen Thomas gjatë viteve nuk është e ndryshme nga mikpritja që kemi ofruar për shumë miq tanë të tjerë” dhe se çifti “nuk ka kërkuar asnjëherë këtë lloj mikpritjeje”.

Ai tha se ata “kurrë nuk kanë pyetur për rastet gjyqësore të shqyrtuara nga Gjykata e Lartë ose gjykatat e nivelit më të ulët, dhe gjykatësi Thomas nuk e ka diskutuar kurrë një gjë të tillë me ne dhe ne kurrë nuk kemi kërkuar të ndikojmë gjykatësin Thomas për ndonjë çështje ligjore ose politike.”

Në artikullin e rrjetit ProPublica thuhet se gjykatësi Thomas ka qëndruar në vendpushimin luksoz Topridge të zotit Crow pothuajse çdo verë për më shumë se dy dekada. Gjatë një udhëtimi në vitin 2017, në mesin e të ftuarve ishin edhe drejtuesit e kompanive “Verizon dhe PricewaterhouseCoopers, donatorë të mëdhenj republikanë dhe një nga drejtuesit e Institutit Amerikan të Ndërmarrjeve, një institut kërkimor konservator pro-biznesit”, thuhet në artikullin e ProPublica.

Zoti Crow tha në deklaratën për ProPublica se “ai nuk është në dijeni të ndonjë prej miqve tanë që lobojnë ose kërkojnë të ndikojnë në vendimet e gjykatësit Thomas në ndonjë rast, dhe unë kurrë nuk do të ftoja një njeri që besoj se do të kishte ndonjë qëllim të tillë”.

Raportet mbi udhëtimet luksoze janë në kontrast me atë që gjykatësi Thomas ka thënë për metodat e tij të preferuara të udhëtimit. Clarence Thomas, i cili ka përjetuar varfërinë gjatë fëmijërisë së tij në Xhorxhia, ka folur për kënaqësinë e udhëtimit me autobus dhe parapëlqimin e “parkingjeve të Walmart-it, në vend të plazheve”./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb