Nisje perfekte për Xabi Alonson në stolin e Chelseat. Blutë mposhtën 4-3 Brightonin në javën e dytë dhe ruajnë pikët e plota. Chelsea e nisi furishëm takimin, me Lavian që zhbllokoi sfidën që në minutën e katërt. Dhjetë minuta më vonë, Pedro Neto dyfishoi shifrat, ndërsa Joao Pedro shënoi të tretin në minutën e 32-të.
Brighton reagoi menjëherë me Yalcouyé, ndërsa pas pushimit një autogol i Joao Pedros riktheu miqtë në lojë. Në momentin më të vështirë, Cole Palmer realizoi një supergol nga distanca dhe fiksoi rezultatin në 4-2. Gross shënoi në minutën e 96-të, por pa mundur të shmangë humbjen. Chelsea shkon në kuotën e gjashtë pikëve, ndërsa Brighton mbetet me tre.
Pas ndeshjes nuk e fshehu lumturinë tekniku spanjoll i “bluve” Xabi Alonso, që e komentoi kështu suksesin e të tijve ndaj Brighton: “Duhet të kemi patjetër parasysh kontekstin. Ne kemi shënuar dhe kemi kaluar në avantazh 3-0, ndaj nuk është e rëndësishme të themi nëse kemi pasur 60 apo 20 për qind të zotërimit të topit. Unë nuk flas kurrë për këto gjëra. Por duhet të përshtatemi, sepse gjatë ndeshjeve ka momente të ndryshme. Në disa momente kemi bërë shumë mirë, ndërsa në disa të tjera duhet të përmirësohemi. Kundër skuadrave të ndryshme do të na duhet të bëjmë gjëra të ndryshme.”, përfundoi tekniku i londinezëve.
