Kategoria Superiore e sezonit 2025/26 po konfirmohet si një kampionat shumë i luftuar dhe me ekuilibër të madh mes skuadrave. Statistikat e 36 javëve tregojnë qartë se ekipet po hasin vështirësi për të dominuar, ndërsa ndeshjet shpesh vendosen nga episode të vogla dhe diferenca minimale. Në 180 takime të zhvilluara deri tani, skuadrat vendase kanë marrë 76 fitore, ose 42.22% të totalit, duke treguar se faktori fushë vazhdon të ketë peshë të rëndësishme në elitën shqiptare.

Megjithatë, barazimet mbeten shumë të shpeshta, me 56 të tilla, që përbëjnë 31.11% të ndeshjeve, një tregues i qartë i balancës mes ekipeve. Nga ana tjetër, skuadrat udhëtuese kanë arritur 48 fitore, ose 26.67%. Edhe repartet ofensivë nuk kanë qenë në nivelet më të larta këtë sezon. Kampionati po karakterizohet nga ndeshje të mbyllura dhe me pak gola, teksa vetëm 35.56% e sfidave kanë prodhuar mbi 2.5 gola.

Në krahun tjetër, plot 64.44% e takimeve kanë përfunduar me më pak se tre gola, duke konfirmuar prirjen taktike dhe kujdesin e madh defensiv të skuadrave. Interesant është edhe fakti se vetëm 47.22% e ndeshjeve kanë përfunduar me gola nga të dyja ekipet, çka tregon se shumë skuadra po arrijnë të ruajnë ekuilibrin prapa ose, në të kundërt, kanë vështirësi në finalizim. Në përgjithësi, sezoni 2025/26 i Kategorisë Superiore po sjell një garë të fortë si për titullin, ashtu edhe për mbijetesën, ku diferencat mes skuadrave janë minimale dhe çdo javë kampionati vazhdon të prodhojë surpriza.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: