Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar shkelje të Nenit 8 të Konventës në çështjen e ish-drejtuesit të Prokurorisë për Krimet e Rënda, Adnand Kosovës, duke vlerësuar se shkarkimi i tij nuk ishte proporcional me qëllimet legjitime të ndjekura.
Në vendimin e saj, Gjykata i referohet edhe jurisprudencës së mëparshme, duke theksuar se, në një kontekst të ngjashëm, rihapja e procedurave të verifikimit do të ishte një masë e përshtatshme.
Gjykata vëren se të dy organet e rivlerësimit kanë përfunduar tashmë mandatet e tyre. Megjithatë, ajo i referohet Nenit 179/b, paragrafi 8, të Kushtetutës së Shqipërisë, i cili parashikon mënyrën e trajtimit të procedurave që mbeten pezull ose të pazgjidhura pas përfundimit të mandateve të organeve përkatëse.
Në këtë kuadër, Gjykata shprehet se, nëse Kosovë e kërkon, do të ishte e përshtatshme që procedurat e rivlerësimit të rihapen dhe çështja e tij të rishqyrtohet, në përputhje me kërkesat e Nenit 8 dhe gjetjet e përcaktuara në vendim.
