Regjisori i njohur Saimir Kumbaro nëpërmjet një letre të hapur i kërkon kryeministrit Edi Rama që të japë dorëheqjen.
Sipas tij, pas 25 vjetësh pushtet, kryeministri Edi Rama vë rininë përballë dhunës.
Letra e plotë:
Letër e hapur Edi Ramës
Edi,
25 vjet më parë u premtove shqiptarëve një jetë me dinjitet. Sot, pas 25 vitesh, e vë rininë përballë dhunës. Të rinjtë e këtij vendi kërkojnë një arsye për të mos ikur, dhe ti u përgjigjesh me dhunë.
Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, i krahason me Francën. Kjo është fyerje. Në Francë, të rinjtë protestojnë sepse u mungon letra e tualetit dhe duan më shumë shërbime nëpër gjimnaze. Studentët shqiptarë protestojnë sepse nuk kanë shpresë. Ata nuk janë të pakënaqur me një shërbim, por me një vend që nuk u ofron të ardhme. Ta barazosh këtë me shqetësimet e një gjimnazisti francez do të thotë ose të mos e kuptosh, ose të mos duash ta kuptosh. Dhe të dyja janë të rënda për një kryeministër.
Një shtet nuk matet nga ajo që premton, por nga mënyra se si i trajton të rinjtë kur nuk i duhen për votë. Ti po i trajton me dhunë dhe me përbuzje.
Prandaj po të them atë që e thonë sot mijëra zëra jashtë pallatit tënd:
JEP DORËHEQJEN!
Jep dorëheqjen, sepse je përgjegjës për gjithçka që po ndodh.
Saimir Kumbaro
