Kryeministri Edi Rama ka dalë në një komunikim në Facebook ku ka folur për planin e transformimit të administratës.
Ndërsa studentët vijojnë protestën e tyre edhe ditën e sotme duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.
Gjatë fjalës së tij Rama u ndal edhe te procesi i negociatave dhe ministria për administratës duke e prezantuar si “Shkalla e Meritës”.
“Me Besën kemi synuar të ndryshojmë marrëdhëniet me qytetarit me shërbimin, dhe me pasqyrën fokusohemi te transparenca dhe me shkallën e meritës, vlerësimin e kapitalit njerëzor. Kur ishin duke hyrë në procesin për negociatat, kam thënë se negociatat do hapen por si do ia bëjmë kur të ulemi në tryezë dhe këtu është fjala për disiplinën që kërkon procesi. Administrata jonë ka njerëz që përballen me ekspertë të Komisionit Evropian me dinjitet”, tha ai, duke shtuar: “Llogaridhënia nuk mund të fillojë kur problemet bëhen publike, por duhet të jetë pjesë e përditshme e funksionimit të shtetit. Krijimi i administratës publike jep mundësi për menaxhim të qartë. Kemi reflektuar mbi mënyrën se si të jemi më pranë njerëzve, duke e sjellë më pranë administratën, më pranë shtetin, duke sjellë më pranë tyre edhe ndjesinë se janë ata që janë arsyeja ekzistenciale, jetësore e shërbimeve të administratës. Pjesë e këtyre ndryshimeve, ku kemi thirrur në ndihmë IA-në, por jo vetëm, është edhe Shkalla e Meritës. Tjetër reformë që në thelb ka të bëjë me një pyetje shumë të thjeshtë: Si ta bëjmë administratën një hapësirë ku njerëzit më të aftë, më të përgatitur, më të përkushtuar dhe më të dëshiruar që t’i shërbejnë vendit nga ana e shtetit, të mund jo vetëm të hyjnë, por edhe të ecin përpara, kur hyjnë, në shkallën e hierarkisë në administratë?
Pjesë e kësaj reforme është edhe krijimi i Ministrisë së Administratës Publike, që i përkushtohet administratës dhe mirëqeverisjes, përfshirë organizimin e institucioneve, trajtimin e kapitalit njerëzor dhe përgjegjësinë e secilit brenda administratës ndaj qytetarit që troket, kërkon t’i qahet halli dhe kërkon që halli i tij të mos humbasë në oqeanin e burokracisë”.
