Autori Roland Zisi ka botuar së fundmi veprën e tij “Studime ndërdisiplinare në albanologji”.

Libri përmban 17 studime, kryesisht në fushën e studimeve letrare, me karakter historiografik-interpretues, disa prej tyre me karakter krahasues. Përparësi kanë studimet për autorë shqiptarë, por zënë vend edhe shkrimtarë të njohur joshqiptarë (përveç Albert Camus, një grupim i shkrimtarëve frëngjishtshkrues si autori magrebin Tahar ben Jelloun dhe të tjerë si Yasmina Khadra, Salim Bachi etj.).

Paraqesin interes disa çështje specifike të hermeneutikës, që lidhen me letërsinë shqipe, sidomos me tre shekujt e parë të saj, si bilinguizmi (prania e një gjuhe të dytë “sigurie kanonike”, autopërkthimet etj.). Në këtë kontekst profili i kolegut të tij Nonda Varfi në pjesën e veprimtarisë si përkthyes është “i privilegjuar” me dy artikuj.

Autori synon ta lexojë letërsinë shqipe “nga majat”, dhe këtu çmohen studimet për Naim Frashërin dhe “utopinë e tij atdhetare-romantike”; Dritëro Agolli me “utopinë tjetër”, ideologjike; Ismail Kadare me simbolikën e shenjave perandorake në veprën letrare të “ciklit oriental”.

Lidhjet mbiadriatike të letërsisë shqipe, kontaktet pararilindëse të arbëreshëve me tokën e të parëve, misionarët basilianë si zhvillim ekumenik kulturor dhe fetar, janë disa prej interesimeve parësore të autorit.
Bashkëpërkimet ndërballkanike në letërsi e kulturë trajtohen jo si afërì rastësore, por si rregullsi të krijuara nga fqinjësia e gjatë dhe empatia.

Duket në këtë libër përvoja e gjatë e autorit si studiues i letërsisë romantike të shekullit XIX dhe i dy periudhave të mëvonshme. Risi në këto studime është qasja antropologjike ndaj letërsisë, leximi i saj me kodet e metodës së antropologjisë kulturore. Libri u shërben programeve të mësimdhënies universitare dhe bashkësisë së studiuesve të letërsisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb