Një studim i fundit tregon se deri në vitin 2040 popullsia e Gjermanisë pritet të rritet me vetëm 0.6%. Njëkohësisht numri i njerëzve në moshë pune pritet të bjerë nën 50% .

Sipas një studimi të publikuar nga Fondacioni Bertelsmann Gjermania pritet të përjetojë deri në vitin 2040 një rritje të lehtë të popullsisë prej 0.6%. Parashikimi bazohet në të dhënat për lindjet, vdekjet dhe migrimin të ofruara nga Zyra Federale e Statistikave.

Pabarazi gjeografike

Rritja më e madhe e popullsisë pritet në landin jugperëndimor Baden-Württemberg me një rritje prej 4.6%. Popullsia e Berlinit pritet të rritet me 5.8%, dhe Hamburgu, qyteti i dytë më i madh i Gjermanisë, parashikohet të ketë rritje prej 3.5%.

Kurse popullsia në landin lindor Saksoni-Anhalt pritet të ketë një rënie prej 12.3% të popullsisë. Tkurrje e popullsisë parashikohet edhe në landet lindore të Tyringjisë me 10.9% dhe Mecklenburg-Pomeranisë Perëndimore me 7.3%.

Gjermania po plaket

Ralph Heck, kryetar i Fondacionit Bertelsmann, tha se rritja e numrit të të moshuarve në shoqërinë gjermane është e dukshme pothuajse në të gjitha landet federale.

Sipas studimit përqindja e banorëve të moshës 65 vjeç e lart do të rritet në Gjermani nga 22% në vitin 2020 në 28% në vitin 2040. Në të njëjtin hark kohor përqindja e njerëzve në moshë pune do të bjerë nga 54 në 48%, ndërkohë që përqindja e grupmoshave më të reja në numrin e përgjithshëm të popullsinë do të mbetet pothuajse e pandryshuar.

“Tani nevojiten strategji të dedikuara për të zhvilluar një infrastrukturë të përshtatshme për brezat e vjetër dhe për të kapërcyer sfidat ekonomike që do të shfaqen”, tha Heck. /DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: