TIRANË- “Studio e Hapur” e Eni Vasilit kaloi një ditë me azilkërkuesit shqiptarë në Berlin, duke sjellë në programin e kësaj të marte dëshmitë e shqiptarëve që kërkojnë një jetë të re në Gjermani.

Janë 38 mijë emigrantët shqiptarë që ndodhen në Gjermani. Gjithçka filloi me Kosovën dhe epidemia u përhap me shpejtësi. Çfarë ndodh me azilkërkuesit shqiptarë në Gjermani? Kush janë ata, çfarë përfaqësojnë, nga vijnë, pse ikin dhe çfarë presin të gjejnë?

“Studio e Hapur” ka udhëtuar në Berlin, ka vizituar dhe takuar shumë e shumë nga bashkëkombësit tanë, do tu tregojmë sot historitë e tyre, realitetin që kanë lënë pas, dramat, pamundësitë dhe shpresën për një jetë më të mire. Sapo mbërrijnë dhe paraqiten si emigrantë ndalesa e parë është në qendrat e regjistrimit …

Ne ishim në zyrën e regjistrimit të refugjatëve dhe azilkërkuesve në Berlin. Aty rradha e njerëzve në pritje është e gjatë. Ka një tabelë që tregon rradhën e numrave që refugjatet e çdo etnie dhe azilkërkuesit disponojnë dhe paraqiten kur vjen radha thirret numri që ata kanë. Brenda zyrave ku nuk u lejuam të xhirojmë refugjatet priten një e nga një nga punonjësit socialë, depozitojnë çdo dokumentat dhe marrin udhëzimet për vazhdimin e qendrimit të tyre: Hotel, kamp apo shtëpi me qira si edhe një kuotë prej 10 euro në ditë. Në këtë qendër azilkërkuesi është i detyruar të rikthehet pasi mbaron afati i strehimit të përkohshëm që i jepet pas regjistrimit provizor. I rinovohet leja dhe akomodimi deri kur të marrë një përgjigje për kërkesën që ka bërë për azil. Rradha është e pafund, shqiptarët që gjetëm aty ishin të lodhur, të irrituar, të pashpresë …

Itinerari që ka ndjekur
Tiranë-Athinë-Berlin
Eduart Selimi i martuar me tre fëmijë
Nga vjen?
Nga Tirana, vuajmë në Shqipëri dhe kemi ardhur këtu
Pse vuan?
Papunësia, vetëm papunësia, asgjë tjetër
Ke ardhur vetëm?
Po se nuk kishim mundësi të vinim të gjithë. Kamë lënë gruan dhe tre djemtë atje
Kush të tha që ndërmerret një udhëtim që atje ka një shpresë si e more vesh?
Po fillimisht shkova në Greqi, u interesova se si vihej këtëj, shkova në Shqipëri, shita motorrin, një frigorifer dhe erdha këtu. Ndenja 50 ditë në kamp tek Balona, tani presim këtu .. na kanë shtyrë ditën…. Është radhë e madhe, nga shtrëngimi jemi vrarë, duhet të shtohen punonjësit.
Kushtet në kamp si ishin?
Në të gjithë drejtimet mirë, nuk bëhet fjalë ama, po vetëm për këtë që e tallin njeriun, unë i kam thënë robve të mi mos hajdeni këtu se është gjendje e keqe.
Pse është e keqe sapo më thë që kushtet në kamp ishin të mira?
Por shiko çfarë po bëhet( e ka fjalën për rradhën aty) nuk të japin shtëpi nuk të japin hotel. Po flenë njerëzit më fëmijë nëpër rrugë, shqiptarë me shqiparë i kemi ndihmuar.
Pra ti thua që është më mirë të mos nisen?
As edhe njëherë, as edhe njëherë shqiptari të mos vijë këtu , asedhe njëjherë.
Po pse?
Sepse është shumë e ndërlikuar gjendja nuk është si më përpara që nuk kishte njerëz tani kanë ardhur shumë
Po ti pse nuk kthehesh?
Unë dhe sot nisem, për sytë e ballit.
Shumë nga shqiptarët që takuam nuk pranuan të pyeteshin para kamerave. Larg tyre ata na pohuan se nuk donin të tregonin gjendjen në të cilën ndodheshin para familjarëve në Shqipëri.
Ky djalë nuk pranoi të na jepte emrin dhe refuzoi që publiku ta njihte në fytyre por dëshmia e tij nuk e humbet aspak vlerën

Itinerari: Durrës-Francë -Gjermani
25 vjeç dëshiron të mbetet anonim

Nga vjen?
Jam me origjinë nga Dibra, banoj në Durrës. Kam pesë muaj që kam ikur nga Shqipëria. Tre muaj kam ndenjur në Francë. Pas tre muajsh atje kisha hall se më digjej pasaporta dhe u ktheva për azil në Gjermani. Kam dy muaj këtu. Për 54 ditë kam marrë 300 euro. Kanë mbaruar ato dhe nuk kam marrë të tjera. Këto të kthejnë po unë nuk kthehëm në Shqipëri do të shkoj në ndonjë vend tjetër.
Po 300 euro i keni marrë për të qendruar në kamp, në hotel?
Në hotel.
Nuk ju kanë thënë asnjë gjë?
Asnjë gjë.
Keni ardhur këtu për të mbajtur rradhën?
Kam që të hënën që mbaj radhën, të mërkurën kam mbaruar, sot ( e premte) kam ardhur për një hall tjetër.
Të mërkurën çfarë ju thanë, që duhet të ktheheni?
7 ditë në hotel pas asnjë lekë
Hoteli pa lekë?
Po, e gjete
Po ushqimi?
Me lekët që ke rezervë
Kishe rezervë?
Asnjë lekë
Po si do t’ia bësh?
Do shohë do mundohem, çun i ri jam
Çfarë do bësh do punosh?
S’kam të drejtë të punoj po më kapën në punë më kthejnë direkt
Po atëherë si do e zgjidhësh?
Se di do e shohim, ka mënyra me e zgjidhë, do më ndihmojë ndonjë shokë, do hyj borxh
Po përse kë shpresë për diçka?
Po çfarë shprese…
Si ishte jeta në kamp?
Si në kohën e komunizmit që të çonin në Spaç
Ma përshkruaj pak?
500 veta një kat, me një banjo, hajde lahu kur të bjerë radha. Ushqimi i paketuar nuk dihet nga vjen
Si flini?
Si flini… mirë që jemi shqiptarë të paktën rrimë pastër
Sa veta jeni një një dhomë?
Varet nga dhoma, ka që mbajnë nga 2 deri në 8
Po familjarët?
Nuk jam interesuar, unë jam beqar
Ka pasur probleme, femrat shqiptare?
Shqiparët jo, të tjerat nuk e di, sa kam unë nuk ka pasur probleme, nuk i lë njëri me pas probleme me to.
Jeta është e vështirë në kamp?
Me aq sa kam parë unë, e vështirë
Më thuaj sot njerëzve që janë duke menduar të nisen të mos nisen çfarë do tu thoje?
Të betohem sapo u thashë dy shqiptarëve mos u regjistroni se kishin ardhur të rinj, u thashë të iknin vend tjetër, jo këtu.
Pse jo në Gjermani?
Po ja shihe vetë, për rradhën e kam fjalën nuk na trajtojnë si njerëz
Ke kë lënë në shtëpi?
Nënë, babë, motër
Të ka marrë malli, ke fol me motrën?
Qaan…
Do i përshëndesësh që këtu?
Normal
Çfarë do i thuash motrës?
Normal që i dua të gjithë
Që të ka marrë malli?
Po nuk bëhët fjalë, kam katër ditë që nuk kam folur ( duke qarë)

Marigleni është 24 vjeç, edhe ai nuk parapëlqen të dalë përpara kameras ndoshta i druhet merakut të të fejuarës që e pret në Shqipëri.
Sa kohë ke këtu?
Tre muaj, shqiptarët nuk i përfillin fare, i lënë rrugëve, shyqyr që na ka mbajtur shoqëria me të ngrenë me të gjitha.
Ke qenë në kamp?
Jo asnjëherë, vetëm në hotel, kam mbetur edhe rrugëve se nuk kisha hotel, nuk më pranonin
Çfarë do tu thoje shqiptarëve që sot janë duke menduar të nisen apo jo?
Mos hajdeni, mos u nisni, ndoshta të shkojnë diku tjetër , po këtu jo
Pse jo?
Se atë që jam duke kaluar unë dhe shumë e shumë shqiptarë të tjerë këtu është torturë, dhe shokëve të mi u kam thënë mos u nisni. Doja të merrja dhe vëllain tim i thashë jo nuk ke për të ardhur. Jam duke vuajtur unë mos vuaj ti të paktën.
Ke ndonjë shpresë së mund të marrësh azil?
Këtu shpresë ..jo farë shpresë
Pse rri akoma?
Ndoshta Zoti nuk i dihet. Zoti vonon po nuk harron
Po çfarë shprese ke për çfarë?
Ndoshta mund të gjëj një punë, mund të gjej një pronar që mund të më ndihmojë
Ti e di që nuk ke dokumenta nuk të lejohet të punosh?
Me gjet një pronar që më merr përsipër. Nëse ke pronar të ndihmon shumë. Ajo është shpresa ime. Për azil e vështirë të të japin të drejtën

Bledi nga Durrësi 33 vjeç
Itinerari: Durrës–Bari-Berlin

Ke qenë në kamp?
Kam qenë nja dy here po nuk ka ndenjur.
Po pse?
Nuk na pëlqen në kamp, se flemë 20-30 veta përtokë aty
Janë kushtet e këqija?
Po janë të këqija. Nuk rrihet fare.
Ka ushqim?
Copë–copë, ha patate pa zier fare.
Nga je?
Jam nga Durrësi.
Nga ke ardhur?
Nga Italia kam ardhur
Po pse u nise?
Për më mirë
Çfarë pune bëje në Shqipëri?
Punë ditore, ngarkim –shkarkim
Si e more vendimin për tu nisur?
Vetë, e dëgjova nga çuna, disa kanë bërë gabim që kanë ardhur, nga 20 ditë që po rrimë këtu, po flemë përjashta, dhe s’po mbarojmë punë.
Dini ndonjë rast që ka marrë azil?
Azil nuk para marrin se janë këto marokenët ça janë këto egjiptianët, këta mund të fitojnë, se shqiptarët, kosovarët maksimumi deri në tetor mund ti kthejnë mbrapsht, kështu flitet, prandaj i mbajnë kështu zvarrë.
Në kampe kur ke qenë ka pasur kriminalitet?
Rrahje normal që ka, hajdutlliqe ka, nuk rrihet në kamp
Kanë probleme femrat në kamp?
Jo jo femrat mund ti lënë veç ato, ose ato që janë familjarë
Në Shqipëri ka dalë lajmi që femrat shqiptare kanë pasur probleme ngacmime, përdhunime?
Ku kena qenë ne jo, varet
Shokëve të tu që janë në Shqipëri sot çfarë u thua?
I them të mos nisen, çfarë do bëjën me vujt kot këtu. Nuk është që të rregullohesh të bëhesh
Ka shumë shqiptarë si ty?
Ka sa të duash
Ke kë lënë në shtëpi?
Plakën, vetëm fare
Të vjen keq?
Normal që më vjen keq
Çfarë do bësh do kthehesh?
Me sa po shoh normal që do kthehena.

Adelen dhe nënën e saj Dafinën i gjetëm në rradhën e qendrës së regjistrimit. Një radhë sfilitëse që mbanin për herë të dytë.
Historia e Dafina Çunit.
Dafina Çuni nga Burreli, banuese në Durrës
E martur me një fëmijë. Vajza, Adela është 8 muajshe
Kërkon azil politik në Gjermani familjarisht
Itinerari: Durrës- Bari-Munih-Berlin

Sa keni që keni ardhur këtu?
Dy muaj
Si keni udhëtuar?
Kemi udhëtuar me target, pastaj me tren, pastaj me autobus. Në fillim erdhëm në Mynih dhe pastaj na sollën këtu në Berlin
Pse e ndërmorët këtë udhëtim?
Për një jetë më të mirë. Në Shqipëri nuk ka asnjë të ardhme. Kemi ardhur të na sigurojnë një jetësë më të mire.
Nga je?
Nga Burreli jetojmë në Durrës. Në Burrel kam punuar në rrobaqepsi, burri pa punë.
Po në Durrës?
Pa punë, na kanë ndihmuar kushërinjtë tanë.
Kush ja tha shkoni në Gjermani se atje ka punë?
Kështu dëgjuam, që të ndihmojnë, të japin shtëpi, në fakt kemi ardhur për azil politik, pasi në fakt jemi në hasmëri, dhe kemi ikur se nuk jetojmë dot në Shqipëri.
Jeni në hasmëri çfarë ka ndodhur?
Për një vrasje që kanë kryer kohë më parë, kur ka qenë i ri burri ka kryer një vrasje pa dashje.
Këto janë histori reale apo ju duhet ti tregoni këtu që të merrni azilin politik?
Duhet që të tregohet e vërteta, se ka që mashtrojnë, por rasti jonë është i vërtetë.
Keni sjellë dokumente?
Po kemi sjellë.
Me kë je martuar?
Artan Çunin, vajza është 8 muajshe tani, 6 muajshe erdhi këtu,udhëtimi na kushtoi, na ndihmuan të afërmit.
Nga Durrësi si u nisët në grup?
Secili më vete, po u mbush autobuzi.
Kush jua tregoi rrugën pse nuk u niset me avion jua tregoi dikush rrugën…
Varet sipas mundësive, kishim frikë se nuk na linin me avion, ka raste që i kanë kthyer mbrapsht, nuk na ka treguar njëri rrugën.
Si fillim shkuam në Mynih, ata na sollën këtu, këtu në rradhë dy ditë… dy netë kemi fjetur jashtë.
Kishte shqiptarë të tjerë atje?

Po shumë.
Kushtet në kamp si ishin?
Shumë. shumë të mira.
Çfarë keni bërë gjatë dy muajve?
Asgjë, prisnim datën për të ardhu sërish këtu, presim të na marrin intervistën dhe të tregojmë dokumentet që kemi.
A i keni dëgjuar thirrjet e autoriteteve për të mos u nisur se nuk ka shans për azil?
E dëgjuam, po ne erdhëm për një jetë më të mire.
Po ju kthyen?
Do të kthehemi çtë bëjmë, do mundohemi të gjejmë punë.
A keni dëgjuar për probleme në kampe?
Kemi dëgjuar në TV. Po ne nuk kemi pasur shqetësime kemi qenë në hotel, me shpresë të zotit ishalla bëhet mirë, po këtu rradhë e madhe.
A dini ka marrë njeri përgjigje pozitive?
Po, por shumica e shqiptarëve kanë marrë negative, të gjithë ata që janë ekonomik negativë
Edhe po të na kthejnë s’ka problem, më mirë atje në vendin tim se sa këtu, s’ka shqiptarë, vetëm njerëz të huaj dhe gjuhën e kemi problem.
Nuk i mendove të gjitha këto kur u nise?
I mendova por deshëm ta provonim edhe ne, shohim tani shpresojmë
Do që ta rrisësh këtu vajzën?
Pooo.

Historia e Eris Alimemës dhe Ardi Jonuzit
Eris Alimema nga Tepelena.
I martuar. Ka shkuar familjarisht në Gjermani
Itinerari:Shqipëri-Maqedoni-Serbi-Hungari-Austri-Çeki-Gjermani

Pse vendose të vish këtu?
Po vendosa sepse në Shqipëri nuk po gjeja dot zgjidhje. As punë nuk kisha, dhe në marrëdhënie me shkollën që kam pasur nusen, korrupsioni nuk gjeja zgjidhje në asnjë vend, në asnjë vend.
Më shpjego çdo të thotë shkolla, korrupsioni?
Shkolla është në Gjirokastër, aty luhet korrupsioni, nuk merren provimet pa dhënë lekë. I jam drejtuar ministres personalisht me email privat, s’kam marrë përgjigje, jam drejtuar Erjon Velisë si ish ministër as nga ai skam marrë përgjigje, i jam drejtuar KLSH-së vetëm prej andej kam marrë përgjigje. Më ka informuar që do të njoftohem prej ministrisë nga ministria nuk kam marrë kurrë një përgjigje.
Ti nuk arrije të paguaje për provimet dhe lë shkollën?
Nuk arrija dhe as kisha ndërmend të paguaja, plus që papunësia pastaj. Kam mbaruar shkollën e lartë vetë, punë nuk kisha.
Çfarë dege?
Laborant dentar dhe nuk gjeja dot punë.
Si e ndërmorët këtë udhëtim, kush ju sugjeroi të vinit këtu?
Nuk është puna tek sugjerimet, thjesht dëgjova që është një shans që po e provonin të gjithë thashë ta provojë edhe unë.
Më trego një ditë të jetës në kamp?
Si një ndeshje basketbolli si një stadium, grumbull njerëzish bashkë, 200 veta në një palestër.
E durueshme kjo?
E durueshme tani çtë bësh.
Sa kohë ke në këtë kampin këtu?
Këtu kam rreth dhjetë ditë.
Më përpara keni qenë në kampe të tjera?
Në hotel.
Sa mendoni që mund të rezistoni?
Edhe dy javë saç kemi dhe afatin.
Autoritetet gjermane nuk kanë lënë të xhirohet në kampe pse sipas mendimit tënd?
Janë disa gjëra në çdo shtet të Europës, jo vetëm në Gjermani që këta nuk i quajnë kushte normale pavarësisht se në Shqipëri dhe vende të tjera mund të quhen të tilla. Po këtu dhe nëpër hotel ku kemi qenë, disa klasifikoheshin si jo normale, nuk i përmbushnin kushtet kësaj i druhen.
A janë realisht shumë të keqia kushtet në kampe?
Jo, jo, nuk e di si janë në vende të tjera, po këtu nuk janë aq të këqija saç thonë.
Keni marrëdhënie me etnitë e tjera? Si shkoni?
Po kemi … shume mirë shkojmë.
Në Shqipëri ka pasur lajme që në kampe ka sherre, rrahje, përdhunime…. Vrasje…keni dëgjuar?
Këtu deri tani që po jetoj unë nuk ka pasur ngjarje të tilla. Pastaj janë disa gjëra, racizma të vogla që janë tek një pjesë e punonjësve jo tek njerëzit.
Çfarë shprese ke për azil kur të gjithë autoritetet thonë jo?
Kjo nuk është çështje azil , kjo është që të futemi të mësojmë pak gjuhën të gjejme një punë, të lidhim një kontratë pune, jo që të fitojmë azil.
Si mendon që mund ta gjesh këtë kontratën e punës?
Duke kërkuar në internet, nëpërmjet njohjeve, dalim, lëvizim.
Je futur në kurs gjuhe?
Jo gjuha nuk mësohet vetëm me kurs edhe me komunikim
Je penduar që ke ardhur?
Jo, jo asnjëherë.
Edhe nëse nuk merr azil dhe nuk gjen mundësi?
Jo nuk jam penduar. Me atë që kam lënë atje nuk pendohem asnjëherë.
Çfarë ke lënë atje?
Ca kam lënë, Shqipërinë kam lënë. Është e kotë të mburremi me patriotizma kur nuk na mban shteti, nuk na siguron një të ardhme, është e kotë që të pretendojmë të kthehemi atje.

Ardi Jonuzi Korçë i martuar me dy fëmijë
Itinerari:Korçë-Athinë-Hamburg-Berlin

Si ke mbërritur në Berlin?
Që nga Greqia
Ke jetuar atje?
Jo në Korçë, shkova në Greqi dhe fluturuva me avion dhe erdha në Humbard, pastaj transferim në Berlin.
Çfarë azili ke kërkuar?
Ekonomik, i papunë asjë lloj përkrahje në Shqipëri.
Je i martuar, sa fëmijë ke?
Kam dy fëmijë, djali 14 vjeç, çupa 10, dhe gruaja këtu e papunë.
Cfarë ka ndodhur që nga momenti që keni mbërritur këtu në Berlin?
Shumë mirë këtu në Gjermani.
Keni ndërruar disa kampe?
Ky është kampi i tretë. Kjo ndodh për të gjithë.
Si janë kushtet?
Shumë të mira
Qendroni në një dhomë me 200 veta?
Shumë mirë, është e përkohshme deri sa të sistemohemi, azili i përmban të gjitha, vështirësitë për njeriun janë.
Po ushqimi si është?
I shkëlqyer.
A ka probleme në kampe?
Asnjë lloj problemi
Po me këto të etnive të tjera si shkoni?
As të pyet njeri fare se çfarë je, sekush shikon terezinë e vetë
Çfarë etnish të tjera ka këtu?
Me sa kemi dëgjuar ne irakianë, sirianë dhe boshnjakë, gabelë serbë ka, gabelë po varet çfarë kartash kanë nuk e di.
Sa shqiptarë janë këtu?
Ne dy familje, ishalla u shtofshin.
Po pse?
Po Evropë më, a do shkojmë drejt Evropës
Po nuk do rrimë në Shqipëri që ta çojmë Shqipërinë në Europë?
Rri në Shqipëri unë po të më sigurohet punë. Ti e mban dot familjen pa punë në Shqipëri. Në qoftë se gënjej unë shiko ku punoj unë dhe …
Ku punoje ti?
Pa punë pra, 15 vjet pa punë.
Si e ke mbajtur familjen deri tani?
Ku gjeja punë të zezë.
Ke emigruar ndonjëherë tjetër më parë?
Greqi kam qendruar 7 vjet.
Dhe që kur u ktheve nuk ke punuar?
Asnjë ditë as nusja asnjë ditë, ti e përballon dot se përballon dot ..
Fëmijët kanë filluar të shkojnë në shkollë?
Po shkojnë edhe unë, për të mësuar gjermanisht
Të pëlqen?
Shumë mirë.
Autoritetetet thonë që shqiptarët nuk marrin azil, ti ke shpresë?
Do marrë pse mos marr.
Po si do marrësh kur të gjithë thonë jo?
Do i përshtatem ambientit do e marrë.
Çfarë do u sugjeroje shqiptarëve që e kanë në mendje të vijnë këtu?
Ishalla të vijnë, këtu ka mundësi shumë, ne kemi mungesë informacioni nga shteti jonë, këtë duhet të bëni ju gazetarët.
Çfarë të bëjmë?
Që nuk kemi përfaqësues fare ne nga Shqipëria, një shoqatë… të gjithë etnitë e tjera kanë, ndihmohen.
Po ju keni ardhur ilegalisht?
Të gjithë ashtu vijnë, si vijnë sirianët
Ata ikin nga lufta?
Po edhe po të mos kesh të hash bukë luftë është më e madhe se lufta se ajo është e përkoshme kurse ekonomia është e përhershme.

Shkolla e kthyer në Kamp
Ka qënë një shkollë por kriza e refugjatëve e ktheu atë në një kamp. Fillimisht autoritet pranuan që në të xhironim në kamp. Aty jetonin disa shqiptarë, por asnjë prej tyre nuk pranoi të intervistohet dhe identifikohet megjithë këmbënguljen tonë.
Një djalë shqiptar që takuam tha se ishtë larguar nga një situatë e vështirë në Shqipëri por refuzoi të na tregojë historinë e tij. Të tjerë banorë të kampit, kryesisht sirianë na panë si një mundësi për të zgjidhur problemet që kanë me kushtet e pajetueshme në ndërtesë sipas tyre. Ata na lanë në duar edhe një peticion të firmosur ku qellimi ishte përmirësimi i jetës në kamp. Emrat e shqiptarëve nuk gjendeshin në peticion. Jashtë kamerave ata pohuan se nuk donin ti krijonin vetes probleme.
Omari vjen nga Siria dhe ka 4 muaj në Berlin. Në përgjithësi është i pakënaqur me kushtet në kamp. Banjat nuk pastrohen, nuk ka dollape ,ushqimi është i keq. Sipas tij menaxheri mund të bëjë më shumë . “Për ne nuk është edhe aq keq po të kesh parasysh që vijmë nga lufta. Familja ime është akoma atje” thotë Omar.
-Si është situatë në Siri?
Shumë e komplikuar.
Ti jeton këtu me shqiptarë. Çfarë mendon për ta?
Janë të mirë. S’kemi asnjë problem me ta. Asnjë problem.
A janë ata të kënaqur me kushet këtu?
Jo, janë njesoj si ne të pakënaqur …
Ende pa mbaruar intervista autoritetet të nxjerrin jashtë pa asnjë shpjegim
Nuk rihymë dot në këtë kamp megjithë përpjekjet tona.

Historia e Ervis Meçallës
Ervis Meçalla
Tiranë, 34 vjeç i martuar me një fëmijë
Itinerari:Tiranë-Stamboll-Hamburg-Berlin
Pse je këtu?
Jam nisur për të kërkuar diçka të re një stimul të ri. Kur mora vesh që ishte një mundësi Gjermania, mendova me familjen pse mos ta provonim.
Një mundësi për çfarë?
Për një jetë më të mirë.
Udhëtimi jot ka qenë organizuar nga ty apo dikush tjetër?
Komplet familjarisht. Unë jam i martuar kemi dhe një fëmijë dhe për të pasur një jetë më të sigurtë për fëmijën tonë menduam të vijmë në Gjermani.
Ku keni jetuar, në kampe?
Po, kur kemi ardhur në Berlin na kanë sistemuar herën e parë tek Balona i themi ne, një balonë e ndërtuar me ajër ku dhomat janë të ndara, femrat veç dhe meshkujt veç.
Si ka qënë jeta në kampe kushtet?
Për mua deri tani kushtet kanë qenë të mira. Them se kam qelluar me fat se duke parë shqiptarë të tjerë dikush ka pasur më mirë dikush më keq. Por për Berlinin që është pak i vështirë në krahasim me landet e tjera, është mirë deri tani.
Në Shqipëri flitet për marrëdhënie të vështira brenda kampeve?
Është pak e veshtirë situata se njerëzit nuk e dinë çfarë do të ndodhë me to dhe normalisht tensioni është i lartë dhe një fërkim i vogël shkakton acarim, incidente të vogla po jo gjëra të mëdha.
Ti mendon se do marrëzh azil?
Jo nuk mendoj se do marrë azil.
Po çfarë po pret këtu atëherë?
Unë mendoj të fitoj në mënyrë të tjera që Gjermania na ka bërë të mundura për integrimin. Për azil them se është e vështirë për çdo shqiptar.
Çfarë mundësish të tjera ka?
Po ja tek kampi jonë na kanë dhënë mundësinë të bëjmë kurse të gjermanishtes pika e parë e fillimit pastaj të bëjmë dhe punë sociale siç edhe unë po bëj tek ky kampi ku kam jetuar edhe vetë. Punoj në guzhinë, tani kam filluar të punoj edhe në housekeeping, tek recepsioni kur presim njerëzit dhe i dërgojmë nëpër dhoma.
E ke mësuar gjermanishten në këto 6 muaj apo e dije më parë? Pashë që komunikoje shumë mirë me personelin e kampit.
Unë gjermanishten e kam mësuar këtu në Gjermani. Kurs një pjesë por edhe puna që kam bërë këtu me gjermanët më ka ndihmuar.
Dhe ti shpreson që të arrish të integrohesh nëpërmjet dijës tënde këtu, po nga pikëpamja e dokumentacionit si do t’ia bësh?
Duhet të bësh një edukim për punë dhe pas kësaj mund të marrësh lejen e punës dhe mund të punosh.
Po thua që dhe shqiptarët që janë këtu nëpër kampe nuk janë të interesuar për këtë gjë?
Ndoshta nuk janë të informuar shqiptarët, ose nuk u pëlqen, ose kanë ardhur vetëm për azil nuk e di. Por për azil nuk e besoj. Kujtdo shqiptari i them që për azil është shumë e vështirë.
Sot si ndjehesh .. pas 6 muajsh me shpresë për tu integruar?
Tani unë them që çdo gjë varet nga ne shqiptarët, ose nga unë se sa të zotë jemi ne për të qendruar, se sa do të përpiqemi për t’ia arritur.Tani nëse është për tu kthyer me zor nuk do rrimë në Gjermani po mundësitë janë, unë besoj që janë mundësitë për të qendruar
Pse nuk të pëlqente Shqipëria?
Unë kam mbaruar inxhinierinë e Agromjedisit dhe asnjëherë nuk më është dhënë mundësia të punoj, dhe kam bërë punë tjetër. Ne e dimë si është Shqipëria, nuk besoj se i jepet shansi çdo njeriu për të arritur atë që do, në Gjermani është ndryshe. Sado që unë jam i ri në Gjermani shikoj që mundësitë janë shumë të mëdha.

(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb