AUSTRALI

Një stuhi gjigante rëre ka goditur komunitetet në Australinë juglindore, duke e bërë qiellin ngjyrë portokalli dhe duke rritur shqetësimet për cilësinë e ajrit.

Autoritetet lëshuan një paralajmërim për shëndetin publik për Sidnejin, ndërsa masa e rërës 500 km e gjerë arriti qytetin dhe shkaktoi vonesa në fluturime. Në shumë rajone të tjera të New South Wales, shikueshmëria është e paqartë. Autoritetet thanë se stuhia ishte shkaktuar nga erëra të forta, që merrnin me vete rërën nga tokat e thara.

Problemi është përshkallëzuar si pasojë e thatësirës që ka prekur të gjithë shtetin e New South Wales që nga gushti. Skuadrat e emergjencave thanë se dhjetëra njerëz kanë raportuar probleme me frymëmarrjen, apo me astmën, por numri i të prekurve nuk është akoma i qartë.

Në Sidneji, rëra errësoi qiellin dhe përkeqësoi cilësinë e ajrit. Zyrtarët e shëndetësisë u kërkuan banorëve të qëndrojnë në shtëpi, veçanërisht fëmijët, të moshuarit dhe ata me probleme në frymëmarrje.

Në jug të vendit, të paktën 40 000 shtëpi janë pa energji elektrike, ndërkohë që shumë prej tyre janë shkatërruar nga stuhitë.

Sot, mbi 100 fluturime nga aeroporti i Sidnejit janë anuluar për shkak të erërave të fuqishme, ndërkohë që trafiku është limituar vetëm në një korsi.

Ndërkohë, Shërbimi Zjarrfikës tha sot se një zjarr gjigant ka rënë pranë qytetit Sollt Esh, 170 kilometra në veri të Sidnejit.

“Ky zjarr ka djegur më shumë se 1 500 hektarë dhe ai ende nuk është vënë nën kontroll”, thanë zjarrfikësit.

 

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb