Qeveria e Suedisë ka thënë se planifikon të prezantojë legjislacionin që u kërkon platformave të mediave sociale si TikTok dhe Snapchat të heqin ‘reklamat me vrasje’ të bandave kriminale brenda një ore ose do të përballen me gjoba të rënda.

Bandat kriminale aktive në Suedi përdorin gjithnjë e më shumë mediat sociale për të rekrutuar njerëz për të kryer vrasje dhe akte të tjera të dhunshme, mes një rritjeje të “krimit si shërbim”.

Rekrutët janë shpesh fëmijë nën moshën 15 vjeç, mosha e përgjegjësisë penale në Suedi – që do të thotë se fëmijët nuk mund të ndiqen penalisht dhe bien nën përgjegjësinë e shërbimeve sociale, duke i bërë ata asete të vlefshme për bandat.

“Ne do të jemi të parët në Bashkimin Evropian me këtë lloj legjislacioni që synon rekrutimin e fëmijëve dhe të rinjve nga krimi i organizuar”, tha Ministri Suedez i Drejtësisë, Gunnar Strommer, në një konferencë për shtyp.

Qeveria e pakicës së krahut të djathtë, e mbështetur nga Demokratët e Suedisë të ekstremit të djathtë, ka shtyrë përpara një sërë propozimesh për të luftuar krimin dhe imigracionin në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të Suedisë më 13 shtator.

Nëse propozimi miratohet nga parlamenti, faqet e mediave sociale do të përballen me gjoba deri në pesë milionë korona (460,000 euro) që nga 15 korriku nëse nuk i heqin reklamat në kohë.

“Sot, kontratat e vrasjes postohen hapur në platformat e mediave sociale si TikTok, Instagram dhe Snapchat”, tha në të njëjtën konferencë për shtyp Pontus Andersson Garpvall, një anëtar i Demokratëve të Suedisë në komitetin e drejtësisë të parlamentit.

Ai tha se shpërthimet me bombë dhe të shtënat u koordinuan nga kriminelët në “shërbime të ndryshme dixhitale”.

“Ata që tërhiqen në këtë kriminalitet të rëndë dhe marrin përsipër këto detyra kriminale janë shpesh fëmijë dhe të rinj që nuk kanë lidhje as me nxitësin, as me viktimën dhe as me vendin ku synohet të kryhet krimi”, tha zoti Garpvall.

Vendi nordik ka luftuar për më shumë se një dekadë për të frenuar një rritje të krimit të organizuar dhe të dhunshëm, i lidhur kryesisht me luftërat midis bandave dhe kontrollin e tregut të drogës.

Qeveria ka njoftuar më parë planet për të ulur moshën e përgjegjësisë penale nga 15 në 13 vjeç që nga 1 korriku për krimet e dënueshme me të paktën katër vjet burg.

Propozimi ka shkaktuar kritika të ashpra në të gjithë vendin, me shumë organizata dhe autoritete të konsultuara gjatë hartimit të legjislacionit që shprehën kundërshtim, përfshirë autoritetet e policisë dhe të burgjeve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb