Një adoleshent sulmoi me thikë tre mësues dhe dy nxënës në një shkollë të mesme në qytetin jugor spanjoll të Jerez de la Frontera, tha policia lokale për Reuters.
Adoleshenti është arrestuar nga policia, e cila do të japë më shumë informacion gjatë ditës së sotme. Sipas të dhënave të para ka shumë të lënduar por nuk ka të vdekur.

Sipas Daily Mail, autori është 14 vjeç. Gazeta britanike raporton se nga sulmi janë plagosur pesë persona, tre mësues dhe dy nxënës.

Sipas njoftimit, i riu ka hyrë në klasë mëngjesin e sotëm, kur po fillonin mësimet, ka nxjerrë nga çanta e shpinës një thikë të madhe dhe ka nisur të godasë me thikë këdo që kalonte. Pasi sulmoi shokët e klasës dhe tentoi t’i mbante peng, mësuesit iu afruan adoleshentit në përpjekje për ta ndaluar. Pikërisht atëherë ai goditi me thikë një mësuese në sy dhe plagosi dy mësues të tjerë.

Policia e mbërritur në vendngjarje ka evakuuar me shpejtësi godinën dhe ka bllokuar adoleshentin. Mësuesja e plagosur është dërguar në spital në gjendje të rëndë. Nuk ka informacione për gjendjen e të plagosurve të tjerë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb