Një sulm me raketa raportohet të ketë ndodhur në Donetsk, ku të paktën 6 persona kanë humbur jetën.
Kështu njoftoi kreu i rajonit ukrainas të pushtuar, Denis Pushilin. “Gjashtë persona u vranë dhe 11 u plagosën nga sulmet në qendër të Donetskut”, shkruan Pushilin në një postim në platformën Telegram. Një shërbim social, një qendër mjekësore dhe banesa u goditën në sulmin me raketa, që i atribuohen forcave të armatosura ukrainase, sipas të njëjtit burim.

Kryebashkiaku i emëruar nga Moska, Alexei Kulemzin tha se gjashtë persona u vranë kur çatia e një ndërtese të zyrës publike u shemb. Një “predhë armike” goditi gjithashtu një magazinë në një lagje tjetër të qytetit Donetsk, shtoi ai.

Donetsk është një nga katër rajonet e Ukrainës të aneksuara ilegalisht nga Rusia vitin e kaluar. Forcat e armatosura ukrainase nisën një kundërofensivë në qershor me qëllim të çlirimit të territoreve të pushtuara, pa arritur deri më tani rezultatet e pritura.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: