Eksperti i sigurisë Fatjon Softa i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 ka folur mbi sulmet kibernetike në vend të cilat ai i konsideroi si sulmet më të mëdha në sistemet e Shqipërisë.

Sipas tij këto sulme nuk kanë përfunduar ende dhe vendi mund të presë të tjera goditje kibernetike në të ardhmen.

Ai shtoi se vendi është në një luftë hibride me Iranin dhe se një mundësi tjetër e kërcënimit është goditja fizike dhe sulmet terroriste në vend, të cilat janë paralajmuar më herët.

Sakaq, ai deklaroi se ndërhyrja në sistem mund të ketë ndodhur për shkak të një ndërhyrjeje apo bashkëpunimi të brendshëm me hakerat iranianë që ka çuar në rrjedhjen e të dhënave nga sistemet shqiptare.

“Jemi në një situatë të vështirë, sulmi kibernetik është më i madhi që ka hyrë në sistemet tona, nuk ka përfunduar dhe do kemi sërish sulme. Jemi në luftë me Iranin, na kanë konsideruar vend armik, po avancojnë veprimet e tyre ndaj vendeve me demokraci. Jemi në një luftë hibride dhe jo vetëm hibride, ata kanë kërcënuar sulme me dronë ndaj kampit MEK, prandaj edhe mund të ketë sulme fizike ose terroriste në vend.

Fakti që dikush ka hyrë dhe është në sistem lihen gjurmë, nuk hyn dot pa një bashkëpunim nga brenda, besoj se kjo ka ndodhur. Mund të ketë qenë një virus apo një USB, kjo mbetet për tu parë. Mendohet se ka bashkëpunim ngabrenda pasi në vend ka pasur organizata sekrete spiune në formën e organizatave humanitare në Shqipëri. Nuk e dimë se sa të dhëna kanë marrë apo sa do të publikojnë. Nuk mund të themi që ka rënë shteti por kjo situatë nuk ka ndodhur në vende të tjera dhe këtu ka qenë situata më e rëndë.”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb