Për herë të dytë brenda pak ditësh, Armand Duka, ka aluduar se ka një “komplot” kundër Christian Panuccit, një sulm dashakeqës ndaj trajnerit për çdo hap të gabuar që hedh. Në një intervistë për TV Klan, Duka është shprehur hapur për bindjen se ekziston një “komplot” kundër Panuccit. “Shigjetimi duket i orkestruar, i dirigjuar kundër një njeriu të vetëm. Çdo skuadër ka limitet e veta, ka fatin e vet dhe do të arrijë një rezultat jo vetëm nga përgatitja apo performanca e skuadrës, por edhe nga fati. Panucci duhet të vazhdojë. Kjo është loja, ky është futbolli, të cilin duhet të tentosh maksimalisht ta përmirësosh edhe në momentet që me armatën që ke nuk arrin ta përmirësosh, atëherë mund të bësh ndryshim. Të humbësh një ndeshje me Skocinë nuk do të thotë që është fundi i botës dhe duhet të kërkosh të presësh koka, do të thotë që ne duhet të bëjmë analiza, duhet të kuptojmë se ku i kemi defektet sportive dhe jo të kalojmë në këto emocione luftarake dhe t’i korrigjojmë për të ardhmen”, janë fjalët e çuditshme të Dukës sa i përket çështjes së vazhdimësisë apo jo të trajnerit italian. Çudia vjen nga fakti që nëse ka pasur kritika të hapura për Panuccin, kanë ardhur nga ish-trajnerë apo gazetarë që e kanë shprehur publikisht simpatinë për çdo vendim që merr apo ka marrë gjithnjë Armand Duka. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb