Mediat franceze kanë publikuar disa fotografi të reja të Salah Abdeslamit pas arrestimit të tij, një prej autorëve të sulmeve terroriste më 13 nëntor 2015 në Paris. Ai u plagos dhe u arrestua nga policia më 13 mars në Belgjikë, në lagjen Molenbek të Brukselit.

Në fotot e reja të publikuara, ai shfaqet i shtrirë në tokë me një maskë oksigjeni dhe i gjakosur. Salah Abdeslam me origjinë marokene u transferua në një burg të Francës gjatë muajit prill. Abdeslam është i dyshuari kryesor i sulmeve të Parisit nëntorin e kaluar, ku 130 persona humbën jetën.

Ai arriti të largohej nga Franca menjëherë sapo vëllai i tij hodhi veten në erë gjatë sulmeve të njëpasnjëshme që goditën Parisin. Gjurmët e Abdeslamit u gjetën gjatë bastisjes së një apartamenti në zonën Molenbek.

Ndërkohë, autoritetet belge kanë arrestuar 3 persona të dyshuar për terrorizëm në Lindjen e Mesme dhe sipas mediave britanike dy prej tyre janë shtetas kosovarë, ndërsa i treti është nga Serbia.

Ata dyshohen se kanë ndihmuar në rekrutimin e xhihadistëve drejt Sirisë. Gjithashtu, ata kanë mbledhur para për t’ia dërguar xhihadistëve në Lindjen e mesme.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb