Tre ditë pas sulmit kibernetik ndaj sistemit TIMS në vendin tonë, i kryer nga katër hakera iranianë, situata tashmë duket se është normalizuar.

Gazetari Igli Çelmeta raportoi nga Aeroporti i Rinasit, duke thënë se sot sistemi punon normalisht dhe se nuk ka asnjë problematikë. Ndërkohë ditën e djeshme edhe pse u informua se sistemi ishte rikthyer në punë, ai ka qenë tejet i ngadaltë.

Gazetari Çelmeta tha se hakerat e identifikuar tashmë, komunikonin në programin Telegram ku kërkonin që të shisnin informacionet, në këmbim të pagesës me Bitcoin.

Ai ka arritur që të komunikojë me ta, por pas prezantimit si gazetar, ata e kanë larguar nga programi.

Sakaq, nga porti i Durrësit ka raportuar gazetarja Klodiana Haxhiaj, e cila bën me dije se situata është normalizuar dhe vijon puna pa probleme. Sipas saj mëngjesin e sotëm janë ankoruar dy tragete nga Bari, pa asnjë problematikë.

Nga ana tjetër, në Kapshticë, sipas gazetares Lorena Kodra, sistemi TIMS është rikthyer në punë, por funksionon në mënyrë të ngadaltë dhe se vetëm gjysma e kompjutera po funksionojnë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb