Policia gjermane ka nisur një operacion të gjerë për kapjen e autorit të dyshuar të sulmit të ndodhur mbrëmjen e së shtunës gjatë festimeve të Christopher Street Day (CSD) në Berlin, ku një grua humbi jetën dhe 14 persona të tjerë mbetën të plagosur.
I dyshuari, i identifikuar si Abdul B., 21 vjeç, i njohur më parë për autoritetet gjermane për lidhje me skenën islamiste në Berlin, kërkohet “me të gjitha mjetet”, pasi dyshohet se drejtoi një furgon drejt turmës së mbledhur në parkun Tiergarten dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes.
Sipas agjencisë gjermane të lajmeve dpa, 21-vjeçari ishte liruar nga një qendër paraburgimi për të mitur vetëm në muajin maj. Policia ka kontrolluar banesën e tij në Berlin, por ai nuk është gjetur.
Autoritetet kanë publikuar fotografinë dhe të dhënat e tij, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve. Ai përshkruhet si rreth 1.90 metra i gjatë, trup i dobët, me flokë të zinj dhe besohet se kishte veshur një bluzë të zezë me kapuç dhe pantallona të bardha.
Në njoftimin e policisë thuhet: “Nëse e shihni, mos iu afroni në asnjë rrethanë dhe shmangni kontaktin e drejtpërdrejtë. Ai mund të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm. Telefononi menjëherë numrin e emergjencës 110.”. Një zëdhënës i policisë deklaroi se hetimet janë ende në fazën fillestare dhe se nuk ka ende informacione të konfirmuara mbi motivin e sulmit apo rolin e saktë të të dyshuarit.
Si ndodhi sulmi?
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:15 (me orën lokale), kur mijëra persona po merrnin pjesë në festimet e Christopher Street Day, një nga paradat më të mëdha të komunitetit LGBTQ+ në Evropë. Sipas autoriteteve, një furgon i bardhë u përplas me turmën, duke plagosur 15 persona. Një grua humbi jetën pak më vonë, ndërsa të plagosurit u transportuan në spital. Pas përplasjes, automjeti u përplas me një pemë. Shoferi e braktisi furgonin dhe u largua në këmbë. Sipas mediave gjermane, ai mbante me vete një objekt të mprehtë, që dyshohet të ketë qenë një thikë. Dëshmitarë okularë i thanë gazetës Bild se panë disa persona me plagë të shkaktuara nga mjet prerës. Policia vijon kërkimet intensive për arrestimin e të dyshuarit dhe u bën thirrje qytetarëve të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e tij.
