Partizani prej katër ndeshjesh nuk fiton, për më tepër së fundmi u mposht nga Egnatia, rival direkt dhe e sheh veten në vështirësi për të arritur vendin e dytë, madje vë në rrezik edhe pjesëmarrjen në “Final 4” në rast humbjeje ndaj Dinamos.

Nëse në mbrojtje dhe mesfushë Shehi i ka piketuar lojtarët titullarë, në sulm situata është ndryshe. Një pjesë e sulmuesve nuk janë në formën maksimale dhe Shehi herë pas here ka ndryshuar emrat në 11-she. Ndër të vetmit që nuk ka zbarkuar në fushë në ndeshjet e fundit ka rezultuar të jetë Alfred Mensah. Ish-sulmuesi i Skënderbeut në këtë sezon është ndër zëvendësimet më efikase, pasi ka arritur të shënojë plot tre gola i ardhur nga stoli, duke i dhënë ekipit 7 pikë të vyera.

Mensah ka shënuar në minutat e fundit në ndeshjet ndaj Kukësit, Erzenit dhe Tiranës. Ai ka shënuar edhe një gol si titullar në fitoren 1-2 në Laç në fazat e para. Por fakti është se në ndeshjet e fundit ganezi nuk po preferohet as si zëvendësues. Në sfidën e fundit të luajtur në Rrogozhinë ai nuk ishte as në listën e lojtarëve rezervë. Nuk dihet arsyeja e këtij veprimi të stafit teknik, teksa në klub, sipas informacioneve, nuk është regjistruar ndonjë shkelje rregulloreje nga ana e lojtarit.

Fakti është se në skuadër Shehi ka shumë sulmues dhe Mensah duket se ka pësuar rënie në hierarki. Kjo dalje jashtë planeve e afron 24-vjeçarin me një divorc në verë. Kontrata e tij skadon në verën e vitit 2025. Te Partizani ai erdhi në vitin 2022 për rreth 50 mijë euro, që shkuan në arkat e Skënderbeut. Vjet Mensah shënoi vetëm 2 gola në Kupë dhe kampionat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb