“FSHF Sunday League”, kampionati i futbollit amator 9×9 që organizohet nga FSHF ka hyrë në një garë të ethshme, teksa këtë javë që lamë pas u luajtën edhe ndeshjet e fazës çerekfinale, duke prodhuar kështu edhe katër ekipet gjysmëfinaliste, që vijojnë garën për titullin kampion.

Katër ndeshje mjaft të forta, që kanë dhuruar emocione dhe gola, teksa në dy raste janë dashur koha shtesë dhe penalltitë për të përzgjedhur ekipin e kualifikuar.

Ashtu si në rastin e sfidës Prestige – Oktapus Security, me kohën e rregullt që u mbyll me rrjeta të paprekura. Në kohën shtesë Prestige ia doli të gjente golin e fitores pas një ndeshjeje mjaft të luftuar, duke u kualifikuar për në gjysmëfinale pas fitores 1-0.

Edhe sfida Roamel – Nova ka qenë mjaft emocionuese dhe koha e rregullt u mbyll me rezultatin e barabartë 1-1. As shtesa nuk e zgjidhi dot kualifikimin dhe skuadrat iu drejtuan penalltive për të përcaktuar fituesin. Nga pika e bardhë më të saktë u treguan lojtarët e Roamel, duke fituar me rezultatin 3-0 dhe duke siguruar kështu gjysmëfinalen.

Në dy sfidat e tjera Dajti mundi Digi Print me rezultatin 3-1 dhe kaloi në gjysmëfinale së bashku me Al-Ar që mposhti me një fitore të vuajtur 1-0 Vila L.

Sipas skemës së përcaktuar më herët përmes shortit, janë zbardhur edhe dy ndeshjet gjysmëfinale. Sfida Prestige – Roamel do të luhet më datë 28 prill 2022, ndërsa ndeshjet e dytë gjysmëfinale Al-Ar – Dajti luhet më datën 3 maj 2022.

Ndeshja finale e këtij sezoni të tretë të kampionatit të futbollit amator 9×9 do të zhvillohet në muajin maj në stadiumin “Selman Stërmasi”.

FSHF Sunday League

Çerekfinalet

Prestige – Oktapus Security    0-0       (1-0 në shtesë)

Nova – Roamel                        1-1       (0-3 me penallti)

Digi Print – Dajti                      1-3

Al-Ar – Vila L                           1-0

Gjysmëfinalet

Prestige – Roamel                   28 prill 2022

Al-Ar – Dajti                             3 maj 2022

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb