Prestige vazhdon me serinë e paraqitjeve të shkëlqyera në Sunday League, duke koleksionuar fitore të njëpasnjëshme. Suksesi më i fundit ka ardhur mbrëmjen e djeshme në kryendeshjen e javës së 17-të përballë skuadrës ATS (Alba Tech System).

Një herë kampionët e SLA-së triumfuan me rezultatin 1-0, ku autori i golit të vetëm të takimit ishte Aleks Kurpali.

Me këtë fitore Prestige i konsolidon edhe më shumë pozitat në vendin e parë në Grupin B dhe tashmë shkon në kuotën e 38 pikëve, duke u shkëputur me 6 pikë nga ndjekësit më të afërt që janë Dajti dhe ATS-ja, me këta të fundit që kanë një ndeshje më pak.

Por mbi të gjitha Prestige vazhdon të thellojë një rekord të jashtëzakonshëm në futbollin me 9 lojtarë, pasi që prej krijimit të formatit Sunday League, 3 sezone më parë, skuadra nuk njeh asnjë humbje në kohë të rregullt apo shtesa.

NDESHJA – Ashtu sikurse parashikohej takimi i djeshëm në “Skënder Halili”, ishte i luftuar dhe me rivalitet të lartë. Shkëndija e parë erdhi vetëm pas 5 minutash, me Prestige që iu afrua shumë golit.

Hysenbelliu harkoi bukur nga e majta pas një goditjeje standarde, por topi i goditur nga Karati u stampua në traversë. Ndeshja vijoi me sulme nga të dyja kampet, ndërsa ATS rrezikoi në të 22-ën, por u ndal nga shtylla pingule pas një gjuajtje nga distanca.

Në pjesën e dytë fillimisht kërcënoi Hysenbelliu, por pa mundur që të gjente kuadratin. Momenti vendimtar do të vinte në të 40-ën, me Prestige që gjeti avantazhin pas një aksioni fantastik.

Shima gjeti kohë e duhur duke vertikalizuar në mënyrë të shkëlqyer për Shaqen. Ky i fundit futi një top perfekt në zonë, të cilin e zhyti në rrjetë Kurpali. Më pas Prestige e kontrolloi më së miri epërsinë, duke marrë fitoren e 12-të sezonale, ndaj një rivali direkt si ATS.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb