Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili i ka cilësuar superskandale denoncimet me zë dhe figurë nga News24 në Doganën e Durrësit, ku doganierët marrin ryshfet dhe abuzojnë me detyrën.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Vasili tha se drejtësia në vend nuk funksionon, ndërsa theksoi se tashmë SPAK duhet të kishte reaguar dhe duhet të kishte arrestime. Ai tha se doganierët e demaskuar janë ende në krye të detyrës, ndërsa disa prej tyre sipas tij po u jepet dhe mundësia që të largohen nga vendi.

Vasili tha se SPAK është i kapur nga qeveria Rama. Mes të tjerash Vasili u ndal dhe te shembja e paligjshme e Prestige Resort, ndërsa shtoi se ata që e hodhën në erë kanë bërë shkelje ligjore dhe duhet të jenë para drejtësisë.

“Sistemi është i korruptuar nga koka te këmbët. Asgjë në dorë nuk ja mban dorën prokurorisë, që ka arrestuar mjekë në sallën e reanimacionit, apo ka arrestuar fëmijë në protestë apo plot raste të tjera. E njeh mirë rrugën se si shkohet te ndalimi dhe arrestimi. Janë dy fytyra, ajo e rilindjes së korruptuar, sistem pa shërim, i korruptuar. Ka pasur ndalime brenda natës, jo në pak raste. Kurse sot kemi një denoncim tronditës, me zë dhe figurë, me gjithçka. Kjo më solli ndërmend situatën me inceneratrët, ku qindra dokumente me fakte u epozituan, ku iplimonin Kryeministrin dhe krytearin e bashkië së Tiraneëss dhe nuk u lëviz gishti. Mali i letrave ka qenë aty për të ndihmuar për drejtësinë. Janë përpjekur të bëjnë pis procesin. E njëjta situatë analoge është dhe në këtë rast, siç ndodhi dhe në rastin e vendosjes së tritolit të Prestige. Ata që e hodhën në erë dhjetëra mln euro, janë para ligjit. Janë në shpërdorim detyre. Këta zyrtarë në doganën e Durrësit janë të mbrojtur politikisht. Janë thirrur gazetarë në prokuroritë e vendit tonë për një denoncim që kanë bërë në studio, iu janë sekuestruar celularë, por kjo drejtësi e re duhet të ishte efikase. Mezi e prisnim që të vinte kjo drejtësi, po ku është? humbën atë pako gjë që kishim me drejtësinë. Këto janë faktet. Kolegët tuaj janë ndaluar sapo kanë dalë nga një studio debati. Po ne kemi parë 12-vjeçare që janë ndaluar në protesta, apo vajza dhe gra. Këta po i japin kohë, t’i justifikojnë, disave do ju jepet mundësi që të largohen nga vendi. Sapo u shfaq dhe video e parë, drejtësia duhet të ishte te dogana. Përqark Ramës ka dhe do ketë njerëz të tillë. Këta dinë dhe kush është ai që po riparon në shtëpinë e tij pllakat e tualetit, madje i kanë ndaluar. E di policia bashkiake çdo gjë, kurse kur ngrihen kullat nuk bëhet gjë. E tani resortit i vihet tritoli. Me këtë regjim drejtësia ka vdekur, janë minuar zyrat e shtetit.”, tha ai.

Pyetjes nëse do të ndryshojë apo jo situata në sistemin e drejtësisë, me zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, Vasili u shpreh pesimist.

“SPAK është ndërtuar si institucion ku secili prokuror vepron në pavarësi të plotë. Në detyrimet e tij kreu i SPAK nuk i jep udhëzime një prokurori për hetimet apo çështje penale të ndjekur nga ai. Thelbi i reformës ka qenë që një prokuror të marrë dhe çojë çështjen deri në fund. Ata doganierë janë në punë. SPAK i kthen përgjigje, i ndjek dhe i bën më të qetë shqiptarët. Debati se kush është drejtuesi i radhës, është një proces që ka përgjegjësi. Tërë ditën flasin për reformën në drejtësi, shqiptarë dhe të huaj. Çdo prokuror është përgjegjës për ta çuar hetimet deri në fund. SPAK është përballë problemeve, miliarda euro që janë shpërdoruar. Kush do e marrë përsipër këtë? Kush është përgjegjës për dhunimin e ligjit? Për shembjen e Prestige? Ka përgjegjës?! Një gjë për të cilën jam koherent është se i kam qëndruar dhe i qëndroj raportit SPAK-Problem. Kam denoncuar disa herë çmimin e karburantit në vend. Ish-presidenti Meta i është drejtuar SPAP për veprimtarinë e parlamentit që zbatonte ligje me porosi. S’lëvizi gishtin SPAK. Presidenti i dërgon SPAK për falsifikimin e bërë nga Parlamenti i Shqipërisë, por asnjë përgjigje. Ku është shteti dhe ku SPAK?! SPAK do të thoshte; hetime të thelluara dhe ata që vijnë në pushtet t’u dridhej mishi dhe mos të tentonin të vidhnin me votat e parlamentit. Falsifikimin e kthen në normalitet. Ne jemi denoncues, ata hetues. SPAK është në bisht të situatës. SPAK është kapur nga qeveria. Përplasjen e shoh dhe e pres që të jetë për çështje konkrete, kushdo që ka interes të flas për të vërtetat. Pse ndodhi kjo? Çfarë po ndodh me afërën e portit të Durrësit që i vihet haptazi BE, dhe po shiten apartamente në ‘ajër’. SPAK nuk ka as 20% të rendimentit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Veliaj ka krijuar bindjen se gjërat i rregullon në SPAK. Ndaj edhe SPAK nuk ndihet, nuk merr iniciativa fare. Nëse unë bëj një denoncim te ju, njerëzit e SPAK kanë instrumente që të reagojnë dhe hetojnë. Ne si opozitë kemi ndihmuar për të çuar fakte dhe dokumente, si në rastin e inceneratorëve. Kapja zhbën çdo reformë. Goditjen në ballë, në lule të ballit, Reforma në drejtësi e mori me emërimin e Arta Markut. Që në atë moment e çanë reformën dhe hapën rrugën e kapjes.”, tha ai.

Po ashtu Vasili u ndal dhe te protesta e radhës që do të mbajë opozita. “Kemi folur për protesta. Se kush e njofton ka pak rëndësi. Protesta do ketë. Por ka pasur dhe dinamikë për zgjedhjen e kandidatëve. Mbi të gjitha jam i kënaqur me thelbin që prodhoi ky proces, siç ishin Primaret, me rivalitet. Pati dhe përplasje alternativash, por ishte risi.” nënvizoi Vasili.

Nënkryetari i PL-së, u ndal dhe te bllokimi i Rrugës së Arbrit. “Edhe dy javë më parë pati bllokim të Rrugës së Arbrit. Bëhet punë për të kaluar radhën. Kjo histori përsëritet. Kjo justifikon ato shtesat që iu bëhen preventivave. Ju keni bërë një denoncim për Kardhiq-Delvinë. E njëjta gjë ka ndodhur dhe aty. Atyre nuk u troket asnjë prokuror te dera kur bëjnë shtesa. Në një shoqëri ku fajtori është në sy, në fokus, ku merr ndëshkimin e merituar, do jeni të bindur që shoqëria funksionin. Ajo rruga është si qilimi i Penelopës që nuk mbaronte kurrë.”, përfundoi fjalën e tij Vasili.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb