Ish- deputetja e PD, Jorida Tabaku ka publikuar një video ku shfaqet Rama në një spot elektoral të 7 viteve më parë, përpara se të bëhej kryeministër dhe të fitonte zgjedhjet e 2013.

Rama premtonte se do të ulte taksat për 95% të shqiptarëve, do të hiqte taksën e biznesit të vogël, do të hiqte taksën për ushqimet bazë, do të ulte taksën për energjinë elektrike dhe do të krijonte 300 mijë vende pune.

Tabaku thotë se Rama nuk mbajti asnjë nga premtimet, dhe kjo nuk është Shqipëria që duam. Sipas saj, plani i PD është për t’i kthyer shqiptarëve punën, nderin dhe dinjitetin që ia ka nëpërkëmbur qeveria aktuale.

STATUSI NGA JORIDA TABAKU

7 vite më parë u premtonte shqiptarëve parajsën vetëm për të fituar pushtetin. Nuk mbajti asnjë premtim, por zhvati gjithçka dhe zhyti vendin në krizë. Kryeministri dhe qeveria në ikje janë mallkimi prej të cilit shqiptarët po largohen nga vendi. Këtë vit çdo ditë 20 shqiptarë kërkojnë azil në vendet e BE.

Kjo nuk është Shqipëria që ne duam. Shqiptarët meritojnë liri, mundësi, dinjitet dhe normalitet. Plani ynë dhe gjithë energjitë tona kanë për qëllim t’iu kthejnë shqiptarëve punën, nderin dhe dinjitetin e nëpërkëmbur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb