* Tahiri: Byroja Kombëtare e Hetimit do të ndihmojë për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta
TIRANE– Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, kryetari aktual i PS për kryeqytetin, njëherazi koordinator për Tiranën dhe Durrësin, ka shprehur sot mendimin se të gjitha forumet në PS, përfshirë kryetarin, duhet të përfshihen në zgjedhje. Por, sipas tij, ka ndryshim kur kryetari është kryeministër dhe për më tepër ka fituar dy herë rresht zgjedhje në rang kombëtar dhe lokal.
Në një deklaratë për mediat, para se t’i bashkohej seancës së sotme plenare, ministri Tahiri tha se parimi i votimit ‘një anëtar një votë’ për kryetarin është në rastin kur partia është në opozitë, ndërsa kur është në pushtet “rinovimi i forumeve të zgjedhura bëhet nëpërmjet kongresit”.
I pyetur mandej nëse do të ketë apo jo një proces votimi në Kongresin e PS-së së 19 Marsit, ai tha se kjo është çështje, thjesht e karakterit teknik.
Zoti Tahiri ka patur një protestë në Partinë Socialiste ku kërkoheshin zgjedhje dhe në mbledhjen e Grupit Socialist në dalje, deputeti Ben Blushi tha se nuk mund të shkelet me të dyja këmbët statuti duke mos u bërë zgjedhjet për kryetar?
Nuk më duket që ka një debat dhe më tepër më duket vazhdimi i një historie të pakuptimtë. Ne jemi në një proces reformimi në Partinë Socialiste dhe kjo ka të bëjë më shumë me zgjerimin e kapacitetit politik të partisë për komunikimin me publikun. Nuk është çështje nëse do të ketë apo jo zgjedhje. Sigurisht që do të ketë zgjedhje. Do të ketë të të gjitha forumeve, do ketë zgjedhje sigurisht edhe të mandatit të kryetarit. Debati pastaj se do të bëhet një anëtar një votë më duket tepër i tejkaluar. Njeri se ka vënë në diskutim që të gjitha forumet do të rinovojnë mandatet e tyre.
Nëse kandidon Zoti Blushi do ta mbështesni duke qenë se keni dhe miqësi personale.
Kjo nuk ka lidhje fare. E rëndësishme është që ju të kuptoni që Partia Socialiste ka hyrë në një proces që është shumë politik dhe që ka të bëjë drejtpërdrejt me qeverisjen dhe drejtpërdrejt me qytetarët. Çdo debat i shëndoshë duhet të përfshijë siç ne po bëjmë komunikimin me anëtarësinë e Partisë Socialiste. Ka shumë anëtarësime të reja të cilat i përgjigjen mundësisë sonë të zgjeruar për të komunikuar sa më shumë me qytetarët dhe detyra e çdo anëtari të partisë është kjo. Është kjo arsyeja qw jemi në mes të një procesi zgjedhor në organizata, është kjo arsyeja që jemi në mes të një procesi zgjedhor për të gjitha forumet e partisë dhe ky është një proces që nuk përjashton askënd dhe unë nuk shoh debat.
Zoti Tahiri kjo do të thotë që është rishikuar statuti i Partisë Socialiste dhe është shikuar edhe qëndrimi i Kryeministrit Edi Rama i cili vetë në një intervistë kishte thënë se në kushtet kur kryetari i partisë fiton zgjedhjet nuk ka pse të ketë votim për postin e tij. Pra ka patur një rishikim edhe të statutit dhe qëndrimit të Kryeministrit njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste? Kjo është hera e parë që flitet për zgjedhje?
Mandati i çdo forumi i Partisë Socialiste përfshirë edhe mandatin e kryetarit të partisë ka rinovim. Nuk mund të jetë ndryshe( ndërhyn gazetari: Rinovim përmes një procesi zgjedhje apo jo)
Që bëhet në Kongres në këtë rast sipas propozimit të grupit që po merret me ndryshimet në statut, Kështu që unë nuk shoh debat që do zgjidhet apo nuk do zgjidhet. E parashikon vet mënyra sesi një parti sillet në opozitë dhe në parti sillet në qeverisje. Kjo është ideja.
Në statutet përcaktohet që zgjedhja bëhet në bazë të parimit një anëtar, një votë, ndërkohë që ndryshimet nuk janë miratuar?
E arsyeshme është siç bëjnë të gjitha partitë moderne, që në opozitë të përfshihet anëtarësia në instrumente të tillë demokratik siç është zgjedhja sipas parimit një anëtar një votë. Ndërsa në qeverisje kur marrëdhënia e partisë, qeverisja, anëtarësia, qytetarët është shumë më e ngushtë dhe intensive, rinovimi i forumeve të zgjedhura bëhet nëpërmjet kongresit, kjo nuk heq elementin demokratik përkundrazi forcon delegimin në parti.
Përsa i përket ligjit për Byronë Kombëtare të hetimit kur do të kalojë në qeveri?
Është një proces konsultimi i vazhdueshëm edhe më partnerët. E sigurt është që në kuadër të rilindjes së Policisë së Shtetit, forcimit të kapaciteteve për të luftuar krimin e organizuar dhe mbi të gjitha korrupsionin, në kuadër dhe të rezultateve mjaft inkurajuese të vitit të kaluar, edhe Byroja Kombëtare e Hetimit që është një propozim i Kryeministrit dhe i qeverisë do të shtojë mundësinë tonë për të luftuar korrupsionin veçanërisht në nivele të larta. Kjo është ende në kolaudimet finale dhe ndjek një proces të tërë nuk ka asnjë arsye për të besuar që zgjatja e kohës që është mëse e arsyeshme për shkak të procesit do të dëmtojë procesin.
Faleminderit!
(el.sp/BalkanWeb)
