Qeveria e udhëhequr nga talibanët në Afganistan, u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të rishqyrtojnë vendimin për asetet e ngrira të Bankës Qendrore të Afganistanit dhe të përmbahen nga “veprime tjera provokative”. Javën e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për zhbllokuar 7 miliardë dollarët e fondeve afgane që mbahen në SHBA, duke thënë se ato mund të ndahen si kompensim për viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit dhe si ndihmë humanitare për shtetin.

“Nëse Shtetet e Bashkuara nuk ndërrojnë pozicion dhe vazhdojnë veprimet provokative, Emiratet Islamike do të detyrohen të rishqyrtojnë politikat e veta ndaj këtij shteti”, kanë thënë talibanët përmes një deklarate të lëshuar të hënën. Ata po ashtu u kanë kërkuar Shteteve të Bashkuara që të lirojnë fondet pa ndonjë kusht.

Vendimi i Bidenit ka nxitur zemërim në mesin e afganëve dhe ish-presidenti, Hamid Karzai e ka konsideruar atë “mizori” kundër shtetasve afganë. Mediat lokale kanë raportuar se qindra persona kanë protestuar të martën në Kabul duke dënuar vendimin e Bidenit. Politikanët afganë dhe akademikët kanë kërkuar që fondet e ngrira të mos përdoren për kompensim të viktimave të 11 shtatorit, sepse asnjë afgan nuk ka qenë i përfshirë në sulme dhe ato asete nuk duhet të përdoren për ndihma.

Besohet se Afganistani ka rreth 9 miliardë dollarë fonde të ngrira dhe 7 miliardë janë në Shtetet e Bashkuara. Pjesa tjetër gjendet në Gjermani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Zvicër. Më 11 shtator 2001, 19 anëtarë të rrjetit terrorist Al-Kaida kanë kryer sulmet më të rënda në tokën amerikane, duke lënë të vdekur gati 3,000 persona.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: