Ndarja nga jeta e kantautorit të njohur 57-vjeçar, Kujtim Prodani, nga virusi i rrezikshëm Covid-19, ka prekur së tepërmi artistët.

Duke folur në një lidhje telefonike për News24, këngëtari Redon Makashi tha se ky ishte një lajm i pabesueshëm, pasi Prodani ishte një njeri i fortë dhe gjithmonë i buzëqeshur.

Mes të tjerash, ai tregoi edhe si e mori vesh lajmin tragjik, të cilin ja kishte dhënë Aleksandër Gjoka dhe që në fillim nuk e kishte besuar.

“Ishte befasi, as e prisja këtë gjë. Është e pabesueshme, ishte gjithë ai djalë i fortë, i ri, me atë humorin e tij. Është një humbje për artin shqiptar. Ne si miqtë e tij e ndjejmë më tepër se publiku, sepse e kemi pasur mik, shok, koleg.

Ne udhëtonim bashkë, ishte një person që kishte gjithmonë humor. Asnjëherë nuk e kam ndjerë një problem apo hall që ta thoshte, ishte gjithmonë pozitiv. Është komplet e pabesueshme kjo gjë, mendonim se do t’ia hidhte. Kjo qenka një e keqe e madhe. Ne kemi komunikuar bashkë dhe jemi takuar në një ambient të një mikut tonë, ku ai shkonte shpesh për një birrë apo hante diçka.

E shikoja gjithmonë të buzëqeshur, kur na shihte, na ftonte gjithmonë në tavolinë. Së fundi, ishin gati 5-6 materiale, që do t’i bënte videoklipe, dhe kur e pashë me maskën e oksigjenit, mendova se do t’ia dilte, që ta merrja e ta uroja, por ja që s’mundi. E gjithë familja e tij ka lënë gjurmë në kulturën shqiptare. Kujtimin s’e imagjinoj dot, bënte gjithmonë ecje nga Liqeni. Ishte shumë i fortë. Më tha Sandri për lajmin dhe i thashë ‘po tallesh ti apo…’”, tha Makashi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb