NGA: VJOLLCA KONGJONI
Kalimi i gazsjellësit Trans Adriatik në qarkun e Korcës po jep mbështetjen e parë për banorët. Me përfundimin e fazës së parë të punimeve përgjatë gjurmës së gazsjellësit në këtë qark nga ana e TAP janë ndërtuar 15,5 kilometra rrugë dhe 9 ura ndihmëse që lidhin fshatrat me zonën urbane. Tashmë zonat më të thella malore të Korçës, si fshati Shtyllë, nuk do të kenë më problem të lidhen gjatë stinës së ftohtë me qytetin apo me fshatrat përreth.

“Rruga e re na ka larguar nga izolimi dhe na larguar frikën e udhëtimit drejt Korçës. Tashmë edhe ne mund të tregtojmë prodhimet tona në Korçë, mund të dërgojmë fëmijët në shkollë pa patur frikën e rreziqeve që paraqiste rruga dhe shpresojmë që banorët e larguar nga fshati jonë të kthehen pasi nuk do jemi më të izoluar nga pjesa tjetër e botës”, pohuan banorët.

Për zëvendës kryeministrin Niko Peleshi ndërtimi i TAP është një ngjarje e rëdësishme për zhvillimin e turizmit në këtë zonë.

“Jemi të kënaqur që këtu në Shqipëri, si një prej vendeve ku projekti kalon, punët po ecin mirë dhe ka mbaruar faza e rëndësishme e rrugëve të aksesit për rajonin e Korçës. Përveçse sjell më shumë akses për banorët dhe vizitorët potencial ka sjellë edhe një standard. Infrastruktura e re rrugore do të ndihmojë transportin e tubave dhe makinerive të tjera të nevojshme për ndërtimin e gazsjellësit TAP. Faza e parë e punimeve të rehabilitimit të infrastrukturës rrugore përgjatë gjurmës së gazsjellësit TAP nisi vitin e kaluar dhe tashmë më shumë se 95% e punimeve kanë përfunduar.”, tha Peleshi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: