Nga: Vjollca Kongjoni*

TIRANË- Ndonëse ndryshimet e reja ligjore për procedurat tatimore janë pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, administrata tatimore do të nis duke filluar nga data 5 janar kontrollin e invetarëve të bizneseve. Ashtu sikurse ishte njoftuar në muajin dhjetor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të nisë kontrollet për mallrat dhe materialet e bizneseve për të verifikuar inventarin e mbylljes së vitit me atë fizik. Burime nga Tatimet bëjnë të ditur për News 24, se tatimorët kanë të drejtë ligjore të ushtrojnë kontrollin e inventarëve në çdo kohë pranë bizneseve pa u penguar nga ngrirja e ligjit të ri tatimor.

Nëse konstatohet se bizneset kanë mospërputhje të inventarëve me gjendjen e mallit, tatimet mund të ndërhyjnë në çdo kohë dhe të kërkojnë rregullimin e situatës. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, pavarësisht pezullimit të ligjit nga Kushtetuesja, që do të thotë se bizneset nuk janë të detyruara me ligj të bëjnë vetëdeklarimin e mallrave pa faturë, është në interesin e tyre që ta bëjnë autofaturimin. Prania e Tatimeve për herë të parë në verifikimin e invetarëve do të mundësojë që bilancet e 2016-s të fillojnë me një situatë më reale. Për të gjitha bizneset që nga këto kontrolle do të gjenden me shkelje do të aplikohen masat administrative sipas ligjit të vjetër. Kontrollet e subjekteve përfshijnë verifikimin e inventarëve kontabël të mallrave për shitjet deri në fund të vitit të kaluar, atë të lëndëve të para, të prodhimit në proces dhe të produktit të gatshëm deri më 31 dhjetor të 2015-ës.

Inventarët duhet të jenë të detajuar në artikuj, njësi, sasi, çmim, vlerë dhe të ndarë sipas adresës së ushtrimit të aktivitetit të biznesit që mund të jetë magazinë, pikë shitje me shumicë apo pakicë.
Më 23 dhjetor të vitit të kaluar, pas kërkesës së bërë nga Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve për rishikimin e ligjit, të procedurave të ndryshuara tatimore, Gjykata Kushtetuese vendosi ta pezullojë atë deri në një moment të dytë.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: