Adriatik Lapaj, kryetar i Koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet,” mbajti një fjalim të fuqishëm në Shkodër, duke premtuar se do të ndryshojë sistemin dhe do të sjellë një Shqipëri të demokratizuar dhe të begatë për të ardhmen. Ai theksoi se Shqipëria është marrë peng nga një grusht njerëzish dhe shprehu angazhimin për të fuqizuar ligjin dhe për të mundësuar referendumet. Lapaj kërkoi që qytetarët të shfrytëzojnë mundësinë e votës më 11 maj, ditën e “ndëshkimit” për keqqeverisjen dhe të mbështesin ndryshimin që po ofron koalicioni i tij.
Ai gjithashtu vuri në dukje se falë iniciativës së tij, diaspora tashmë mund të votojë, duke e parë këtë si një mundësi për të ringjallur shpresën në Shqipëri. Lapaj e quajti 11 majin një moment të rëndësishëm për të kujtuar largimin e të afërmve që ikën nga Shqipëria dhe për të dërguar një mesazh të fuqishëm kundër abuzimeve të pushtetit dhe keqqeverisjes.
Lapaj iu bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen për ta çarë sistemin dhe për të sjellë ndryshimin që vendi ka nevojë.
Adriatik Lapaj: Shkodra ka shpresë. Falë iniciativës sonë, sot diaspora voton. Mund ta kthejmë Shqipërinë në një vend të begatë, ku fëmijët mund të ndërtojnë të ardhmen këtu. Lindshmëria ka rënë jashtëzakonisht shumë. Shqipëria është marrë peng nga pak njerëz. Duam të demokratizojmë vendin. Ne duam të çajmë systemin, të fuqizojmë ligjin për referendumet. 11 Maji është dita e ndëshkimit, duhet të kujtoni ditën kur të afërmit u larguan nga atdheu, ditët kur iu kanë vjedhur jetën. Adriatik Lapaj dhe Pano Sako janë sot në mbrojtje të të drejtave tuaja. Ne duam të çajmë sistemin dhe duam të sjellim ndryshimin. Ne jemi populli që duam të dalim nga pengmarrja 34-vjeçare. Unë ju premtoj: Do ta bëjmë Shqipërinë bashkë. Na jepni mbështetje, ta çajmë sistemin, është momenti final e mos na lini vetëm.