Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka kritikuar mënyrën se si funksionon Partia Socialiste dhe përqendrimin e pushtetit në duart e kryeministrit Edi Rama.
E ftuar në News24, ku komentoi përplasjen mes Ramës dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Koçeku u shpreh se brenda PS-së mungon debati i brendshëm dhe transparenca për vendimmarrjen politike dhe ligjore. Sipas saj, vendimet merren në mënyrë të centralizuar, pa një proces të mirëfilltë konsultimi dhe diskutimi mes përfaqësuesve të partisë.
Duke u ndalur te puna e SPAK-ut, Koçeku tha se fakti që nuk ka zhvillime të dukshme publike nuk do të thotë se hetimet kanë ndaluar. Ajo shprehu besimin se prokurorët po punojnë për zbardhjen e komunikimeve telefonike, ndërsa kërkoi që drejtësia të mos bëjë dallime në trajtimin e zyrtarëve të lartë.
Deputetja theksoi se përgjegjësia për situatën aktuale nuk duhet të zhvendoset te ritmi i punës së SPAK-ut, por te personat që, sipas saj, kanë krijuar përplasjen me drejtësinë. Ajo vuri në dukje se pas nisjes së protestave janë vërejtur edhe përshpejtime në veprimet e institucionit.
Koçeku e cilësoi shqetësuese përqendrimin e pushteteve në duart e një personi të vetëm, duke argumentuar se kjo mënyrë qeverisjeje ka sjellë pasoja në funksionimin e institucioneve dhe mungesën e transparencës. Sipas saj, edhe institucionet ndërkombëtare kanë ngritur shqetësime për këtë centralizim, ndërsa pakënaqësitë e qytetarëve janë reflektuar edhe në protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit.
Deputetja kërkoi që SPAK të hetojë të gjithë zyrtarët pa dallim, duke nisur nga kreu i qeverisë dhe personat që përbëjnë rrethin e afërt të pushtetit.
Deklarata e Marjana Koçekut në News24: Besoj se SPAK po vijon punën dhe dua që zyrtarët e këtij vendi të jenë të gjithë të barabartë përpara ligjit. Kemi të bëjmë me një mentalitet ku paligjshmëria është kthyer në ligj dhe kjo është një qasje që duhet çmontuar me çdo kusht.
Energjia dhe debati duhet të përqendrohen te kritikat ndaj atyre që po krijojnë përplasjen me drejtësinë, dhe jo te pretendimet për ngadalësinë e SPAK-ut. Që prej fillimit të protestave kemi parë edhe përshpejtim të veprimeve të këtij institucioni.
Edhe për çështje të tjera nuk ka pasur diskutime të mirëfillta brenda Partisë Socialiste. Mënyra sesi janë marrë vendimet dhe janë miratuar ligjet ka treguar mungesë të theksuar debati dhe kolegjialiteti. Pushteti është përqendruar në duart e një personi të vetëm, duke krijuar një centralizim që ka sjellë probleme në funksionimin e institucioneve dhe mungesë transparence. Këto janë ndër shqetësimet që kanë nxjerrë qytetarët në protesta prej muajsh.
SPAK duhet t’i trajtojë të gjithë njësoj përpara ligjit, duke filluar nga kryeministri dhe deri te kupola pranë pushtetit.
