Një nga momentet më prekëse të fjalimeve përballë Kryeministrisë ishte dëshmia e një pensionisti, ish-punonjës i Kombinatit Metalurgjik, i cili denoncoi kushtet minimale të jetesës dhe bëri thirrje për përshkallëzimin e aksionit opozitar përmes ngujimit.

Ish-metalurgu ngriti zërin për pamundësinë ekonomike që po përjetojnë mijëra të moshuar në vend si pasojë e çmimeve të larta dhe pensioneve qesharake.

“Jam një pensionist, kam punuar me Kombinatin Metalurgjik. Marr një pension prej 98 mijë lekësh të vjetra. Është turp! Janë shumë pensionistë me këto pensione. Ku do të shkojmë? Çfarë do të bëjmë në shtëpi, të bëhemi lypësit e fëmijëve? Ky pension mund të vlente në kohën e diktaturës, po tani me këto çmime si t’ia bëjmë?” – u shpreh ai me revoltë përpara turmës.

Përmes një apeli të drejtpërdrejtë, ai u kërkoi të gjithë pensionistëve të braktisin kafenetë dhe t’i bashkohen protestës në mënyrë të vazhdueshme deri në largimin e kabinetit qeveritar.

“Të mos rrijmë kafeneve, të rrijmë këtu! Të ngujohemi, të mos e lëmë sheshin. Jo në shtëpi, nuk kemi çfarë bëjmë në shtëpi! Ngujim natë e ditë deri sa qeveria të bjerë! Jemi shumë pensionistë, të vijmë të gjithë këtu sepse jemi bërë lypës. Turp i madh!” – përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb