Një pedagoge, e pranishme në protestën para Ministrisë së Arsimit, ka shprehur mbështetjen për studentët, duke bërë thirrje që edhe profesionistë të tjerë, si mjekët, t’u bashkohen dhe të bëhen zëri i të rinjve.
Ajo u shpreh se kryeministri Edi Rama ka pasur katër muaj kohë për të zhvilluar dialog me qytetarët që kanë dalë në shesh, por sipas saj, kjo kohë tashmë ka përfunduar. Pedagogia theksoi se nuk është politikane dhe nuk mund të përcaktojë se si mund të zgjidhet kriza, duke shtuar se vendimi u takon studentëve. Ajo dënoi gjithashtu dhunën ndaj të rinjve, të cilën e cilësoi të tmerrshme, ndërsa shprehu kritika të ashpra ndaj policisë dhe bonusit që, sipas saj, efektivët nuk duhet ta kishin pranuar.
“Jam pro studentëve. Shpresoj që të ngrihen edhe të tjerët, për shembull mjekët, që të bëhen edhe ata zëri i studentëve. Mendoj se kryeministri kishte katër muaj kohë për të bërë dialog me njerëzit në shesh. Nuk jam politikane dhe nuk e di se si mund të zgjidhet kjo lloj krize, por besoj se koha për dialog ka mbaruar. Kjo u takon studentëve.
Dhuna ndaj të rinjve është e tmerrshme. Për mua, policia është mercenare. Ata nuk duhet ta kishin pranuar atë bonus. Kjo gjë ka kaluar përtej ndërgjegjes së tyre.”, tha pedagogia për News24.
