Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi me anë të një postimi në Facebook ka uruar shqiptarët në kuadër të 110-vjetorit të Pavarësisë së shtetit, teksa ka theksuar çështjen e shpopullimit duke shkruar se “dita e Flamurit na gjen gjithnjë e më të paktë, dhe kjo është e trishtë”.

Këlliçi shkroi më tej se demokratët dhe qytetarët kurajozë duhet të kthejnë shpresën, të largojnë të korruptuarit dhe ta bëjnë Shqipërinë një vend ku jetohet mirë e njerëzit t’i kenë të gjitha mundësitë të ndjekin ëndrrat e të ndërtojnë të ardhmen e tyre.

Sipas tij kjo ditë e Flamurit duhet të shërbejë për reflektim, ndërsa shtoi se është i bindur që 28 nëntorin tjetër “do të jemi më të lirë e më të vendosur për ta bërë Shqipërinë vend evropian”.

Postimi i plotë:
“Pleqtë, të korruptuarit, fëmijët, të varfërit që s’kanë mundësi të ikin, ngelën në shtëpi, ku loja e dyfishtë hedh një tjetër litar në qafat e tyre të bindura”, shkruan James Joyce mbi shpopullimin e Irlandës nën sundimin britanik asokohe.
Po pse, më tepër se një shekull më pas, sot në dekadën e dytë të mijëvjeçarit të ri, e njëjta gjë po ndodh në Shqipëri? Shpopullim, ikje masive. Dita e Flamurit na gjen gjithnjë e më të paktë, dhe kjo është e trishtë.
Demokratët dhe qytetarët kurajozë duhet të kthejnë shpresën. Ne duhet të largojmë të korruptuarit, e ta bëjmë Shqipërinë një vend ku jetohet mirë e ku njerëzit t’i kenë të gjitha mundësitë të ndjekin ëndrrat e të ndërtojnë të ardhmen e tyre.
Kjo ditë e Flamurit duhet të na shërbejë për reflektim.
Me energji e me dashuri, ne kemi në dorë ta nxjerrim atdheun nga kriza, tja heqim nga duart qeveritarëve e zdromsave që e trajtojnë si plaçkë.
Jam i bindur që kjo do të ndodhë, dhe Tirana do t’i prijë ndryshimit.
Jam i bindur që 28 nëntorin tjetër, do të jemi më të shumtë, më të lirë, më të vendosur për ta bërë Shqipërinë një vend europian, më afër aspiratës që patën paraardhësit tanë e dëshmorët e kombit, të cilët sakrifikuan jetën për këtë projekt.
Gëzuar Ditën e Pavarësisë!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: