TIRANË

Mbahet sot në Gjykatën Kushtetuese seanca për padinë e 28 deputetëve të PD kundër Vendimit të Këshillit të Ministrave për konfiskimin e ndërtimeve pa leje. Ata kërkojnë shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të VKM-së për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi.

Deputetët kërkojnë shfuqizimin e VKM-së me argumentin se është në kundërshtim me Kushtetutën pasi cenon barazinë e qytetarëve para ligjit.

Gazetari Osman Stafa raportoi për “BalkanWeb” se do të jenë dy deputetë të PD-së Gazment Bardhi dhe Dhurata Çupi, ata që do të bëjnë parashtrimin në seancë.

“Ditën e sotme në orën 10:00 Gjykata Kushtetutese do të shqyrtojë një kërkesë të 28 deputetëve të PD-së të depozituar në këtë gjykatë në datën 14 tetor 2022 dhe ka si objekt shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit të qeverisë për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi. Ajo që deputetët e PD-së kërkojnë, të cilët do të përfaqësohen nga dy deputetë Dhurata Çupi dhe Gazment Bardhi si dhe nga avokati Marash Logu, që ky VKM të shfuqizohet pasi bie ndesh me ligjin e vitit 2014 që flet për ndërtimet pa leje dhe planifikimin e zhvillimin urban. Sipas tyre VKM është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe ligjin në fjalë dhe ky vendim përbën një standard të dyfishtë ndaj ndërtimeve pa leje. Nga njëra anë qytetarët e thjeshtë të shkojnë për ndjekje penale, nga ana tjetër ndërtuesit të cilët ndërtojnë për qëllime fitimi të mos preken, por atë që shteti ua cilëson të palegalizuar apo ndërtim pa leje, tua legalizojë me këtë VKM”, raportoi gazetari Stafa.

Ndërkohë kujtojmë se më 15 dhjetor të vitit të kaluar kryeministri Edi Rama bëri një reagim pasi shoqata e ndërtuesve solli në Gjykatën Kushtetuese një ankimim për anulimin e këtij ligji. Ai deklaroi se pavarësisht vendimeve, pallatet do të prishen dhe konfiskohen, duke e quajtur lajthitje një vendim të ndryshëm nga ai i qeverisë të Gjykatës Kushtetuese.

“Shoqata e Ndërtuesve qenka ankuar në Gjykatën Kushtetuese pse po goditen rëndë pallatet me shkelje të lejeve të ndërtimit! Le të shkojnë edhe në Hagë ose në hënë po të duan, po pallatet me shkelje do prishen ose do konfiskohen për interes publik prandaj uroj që GJK të mos lajthisë!”, shkroi Rama në “Twitter” duke iu bërë haptas presion anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për vendimin që do të marrin për këtë çështje.

Disa ditë më parë Rama deklaroi gjithashtu se Shqipëria po analizon largimin nga juridiksioni i Gjykatës së Arbitrazhit pas vendimit që dha për sipërmarrësin italian Francesco Becchetti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb