Ja që më ndodh edhe mua. Sefedin Çela ishte drejtor i RTSH në kapërcyell të ndërrimit të regjimeve. Një institucion ku punova krejt rastësisht sepse miku im Jani Duri më vuri në  dijeni se kishte një  kërkesë për postin e redaktorit të emisionit “Teatri në mikrofon”, për të cilin duhej të konkurroje me një dramatizim.

E vërteta është se z. Çela erdhi mjaft më vonë. Sa kohë që punuam bashkë (në një institucion), kurrë nuk më qëlloi të kisha punë me të, as të takoheshim në ndonjë zyrë apo të pinim ndonjë kafe. Pa dyshim, do të ketë qëlluar të kemi qenë në ndonjë sallë, ta kem dëgjuar në ndonjë mbledhje a analizë, por jo më shumë.

Unë të paktën e kisha lexuar te gazeta Bashkimi, ku kam përshtypjen se ai ka punuar disa kohë. Si të një brezi, diku mësuam se kishte shoqe jete një poete mjaft të vlerësuar si Vasilika Vasi, te e cila ne lexuesve të poezisë na bënte përshtypje vizioni modern, vargu qytetar, shprehja e lirë dhe spontane, sa në kadencat e poezisë së saj  u kompozua  edhe ndonjë këngë e bukur  lirike në festivalet e muzikës në RTSH.

Shfletoj librin e z. Çela “Ku po shkon pa dashuri” dhe nuk mund të mos vërej se aftësia  i tij prej publicisti dhe sinqeriteti i të shkuarit  janë në pajtueshmërinë me natyrën e tij njerzore.

Dhe do tua them përse.

Duke qenë se në fund të vitit ’90 dhashë dorëheqjen nga RTSH dhe isha atashur si gazetar (pa rrogë) pranë Sindikatave të Pavarura,  sytë nga RTSH i kthyem përsëri për të parë  trajtimin që do i bënte ai institucion aq i rëndësishëm kronikës së rrëzimit të shtatores së E. Hoxhës.

Si organizues  të protestës që solli atë ngjarje (shembja qe iniciativë e degës së Tiranës), Sindikata e Pavarur e shihte si jetike transmetimin e kronikës përkatëse, me qëllim që shembulli i Tiranës të ndiqej nga qytetet e tjera.

Dhe kurrë emri i Sedefin Çelës nuk do të përmendej më shumë se atë ditë të paharruar. Dinim se ai ishte nën një  presion të jashtëzakonshëm nga lart që të mos transmetohej. Por aspak  më  i vogël nuk ishte  edhe presioni i grupimeve opozitare.

Që një çast kryq e jetik për vendin. Bëhej fjalë për kronikën më nevralgjike të historisë moderne të Shqipërisë.

Dhe pritej me ankth nga do të anonte Sefedin Çela, sa pjesë kishte në zemrën e tij Shqipëria dhe sa urdhrat që vinin nga një botë në rënie, që donte ta tërhiqte vendin pas vetes në greminë (me gjak e morëm…)

Sefedin Çela urdhëroi transmetimin e kronikës së njohur  dhe po atë ditë firmosi kërkesën për dorëheqje. Rrethanat e krijuara nuk lejonin të punoje sipas atyre kritereve profesionale që gjykonte ai.

Heronjtë dhe grupimet politike gjithnjë e kanë afruar buzë greminës atë vend. Pastaj, kur i mbetur jetim dhe fibra e tij   përkulet deri në pikën e thyerjes, përsëri ndodh diçka që ai e përballon trysninë mbytëse, in extremis shfaqet një frymë që vjen nga larg.

Pa dyshim kjo frymë pa emër përcillet nëpërmjet shumë vetëve, që unë i shoh të ngjashëm me  Sefedin Çelën, që tej çdo bindjeje apo sensibiliteti,  dinë të ruajnë lartësinë e duhur shpirtërore e morale për të kapur thelbin e asaj që kërkon çasti historik.

421911612 767475955247243 8457190241531161121 N

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: