Eshtë në Tiranë, një nga ato ditët mbërthyer në shpërgej që përton të dalë. Nga ato ditët që ngjajnë si të mbyllura, pa nisur.
Nervozizmi i gjysëm finaleve ende prezent nëpër rrugë, e mallkimet e tifozëve holandezë sikur vibrojnë në qoshe.

Dhe ja ku merr jetë ideja që të nisemi për Ersekë. Me shpresën të na shkojë rruga mbarë, që Angli-Francë, ta kapim në kohë e ta shijojmë me ndonjë tryezë të bollshme e kolonjare.
Një ikje diku, për ta lënë ndërgjegjen të kotet, e të zhytemi disa orë në kohë, vetëm me shqisa.

Përgjumur janë rrugës qytetet, qytezat e fshatrat. Përrenjasi, më i parehatuari, ngjan se nuk ka ndërmend të bëhet i gjallë këtë të shtunë, edhe pse ka kaluar mesdita.

Ndalesa e parë në Korçë, kur kemi lënë pas liqenin e Pogradecit që turfullon me gjithë ato re qe ka sipër. Jemi sigurisht në zonën e pazarit të vjetër. Në fundjavë, ka jetë. Zien.

Bruno, kamarieri 19 vjeçar që na sjell kafe e raki të mirë kumbulle të bërë në Kolanec, thotë se po pret bashkimin familjar me një pjesë të të afërmve që i ka në USA.
Asnjë prej shokëve të tij të maturës nuk është këtu. Më të shumtët, punëtorë sezonalë në Greqi ose Gjermani.

Ana në banak e di fort mirë se është simpatike, dhe e drejton ekspresin si të jetë harpa e saj.
Vjen si nga ndonjë film i Mastrojanit, ose liber i Moravisë.

Jemi dendur mirë me petka e kërnacka.
Nuk duhet të mbajë më shumë se 50 minuta Erseka.

Irnosur rrugët, shtëpitë, tabelat. Topa mjegullash që nuk i zë vendi, shkojnë e vijnë si në gjueti të paligjshme. Asgjë në rrugë që lëviz, pos Opelit tonë që ka nisur të bëjë naze me muzikën, prej se valët po pakësohen. Ca male pranë Gramozit që ka vënë borë, krijojnë hapësira që mbushen sakaq me një tjetër që buthton mes tyre.

Në Mollas, 4-5 pallate, që me siguri në kohën e komunizmit kanë qënë krenaria e kësaj komune. Vetëm një dritë e ndezur. Mos është Xhovani Drogo i Buzzatit, thua vetemevete, në Shkretëtirën e Tartarëve që pret më kot gjithë jetën të shfaqen taborret armike në fortesë.

Nuk ka shkuar keq rruga. Te taverna Zisi ku do qendrojmë, kapim dhe pjesën e dytë të Marok-Portugali. Mishi xërliset, aroma të vjen në hojze.

Orët rrokullisen, mezet dhe ushqimi janë një mrekulli, ka edhe raki manaferre.
Refaili që e ka hapur këtë biznes, ka qënë tërë jetën kamarier tek Turizmi i Ersekës.

Tani është në moshë. Ngulet para një ekrani, dhe i bën shoqëri djalit që e menaxhon.

  • foto galeri
  • foto galeri

Furia britaniko-franceze merr një tjetër ngjyrim me sazet e Kolonjës që kanë mbërritur në lokal.

Me motive ndjellëse, me ato tekste të buta plot bilbila, dashuri, tëlleza e manushaqe, ja beh Giroud me koke, dhe ‘le bleu’, kalojnë në gjysëm finale.

Ka në grupin tonë mbeshtetes të mërzitur të ‘tre luanëve’. Më i çarturi nga ta, pati shkendijën gjeniale që të dalim në qendër teksa ora po shkon 3 e mengjesit.

Një shesh i bukur, si ato qytezat e hijshme alpine në veriun e Italisë. 7 minuta ecje. Në një kthinë, diçka merr e jep. Po të mos ishte shi idhnak, dhe pak do zbardhë e njollat e bruzta të agimit do të mund të dalloheshin.

Nja 10 burra që janë me gjasë mendja kritike e kesaj ane, po pinë birra, luajnë letra e nuk ja ndalin këngës. Te Gjergji, i thonë këtij bari.

Na mirëpresin bujarisht. Plas aty debati, po në ajër, mirëpuktimi i pacënueshëm.

Shpirti i festës është Igli, mjeku që pret të marrë turnin. Eshte kjo vrimë e vogël, dispeçeria e madhe. Gjerbin kafen edhe policët, edhe ata që puna ua do të nisen sa më herët për Tiranë.

Na dedikojnë një kolonjare aty për aty. Doktori i prin, shokët mbajnë iso.
Kemi hyrë zyrtarisht në të Dielën që premton të jetë po aq dembele sa ajo, një ditë më parë. Makinat po shtohen dhe dritat e tyre krijojnë koridore të gjata.

Jo më shumë se 3 mijë banore, na thonë, se ka Erseka. Por rravgon, gjakon për të jetuar. E me një stil e krenari të lehtë, këta njerëz ta bëjnë një fundjavë sak të veçantë, edhe në qofsh tifoz anglez.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb