LEZHË- Policia e Lezhës ka reaguar sot në lidhje me incidentin e shënuar mbrëmjen e djeshme në fshatin Rrilë, komuna Shënkoll në Lezhë, ku deputetja e LSI-së Monika Kryemadhi u sulmua me armë. Zyrtarisht Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë pohon se është njoftuar në orën 21:45 të së premtes se në fshatin Rrilë është qëlluar me armë zjarri gjatë lëvizjes në këtë zonë të deputetes Monika Kryemadhi, e cila lëvizte së bashku me vajzën dhe anëtarë të tjerë të shtabit të kandidatit Tushaj.

Blutë e Lezhës kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kryer të gjitha veprimet hetimore duke vënë në dijeni edhe Prokurorinë. Për këtë ngjarje Policia ka shoqëruar disa persona, të cilët po merren në pyetje.

NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË SË LEZHËS 

Më datë 19.06.2015, rreth orës 21.45, është njoftuar Salla Operative e Drejtorisë Policisë së Qarkut Lezhë, se në vendin e quajtur Rrilë,  Lezhë, ishte qëlluar me armë zjarri gjatë lëvizjes në këtë zonë të deputetes të Kuvendit të Shqipërisë Znj. Monika Kryemadhi, e cila po lëvizte së bashku me vajzën e saj dhe anëtarët e tjerë të shtabit elektoral të kandidatit për Kryetar bashkisë Lezhë Z.Viktor Tusha, ku janë dëgjuar të shtëna me armë ne vendin e quajtur kooperativë të fshatit Rrilë.

Menjëherë Policia ka shkuar në vendngjarje ku ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes  si dhe ka kryer veprimet e para hetimore  për të cilat ka vënë në dijeni Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Në lidhje me këtë ngjarje në ambientet e Drejtorisë së Policisë Lezhë janë shoqëruar dhe pyetur disa shtetas dhe po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave, motiveve si dhe identifikimin e autorëve të kësaj ngjarje. Materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: