NGA ELIONA KODRA* SHKODËR- Përmes një shkrese zyrtare drejtuar Bashkisë Shkodër dhe për dijeni Ministres së Kulturës znj. Mirela Kumbaro, drejtori i Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, Edmond Angoni njofton se me kushtet teknike me të cilat përballet kjo godinë është e pamundur të zhvillohen aktivitete, duke propozuar mbylljen e te gjitha aktiviteteve dhe shfaqjeve teatrale, çka sjell mbylljen e “Migjenit”.

Në këtë shkresë zyrtare renditen një sërë shkaqesh dhe arsyesh të cilat drejtori Angoni së bashku me përgjegjësin teknik Arben Meshnuni dhe Inspektorin e skenës Sabah Baxha, mendojnë se rruga më e thjeshte është mbyllja e dyerve të teatrit, e jo hartimi i një projekti për rikonstruksionin e tij.
Çudia më e madhe është se Bashkia e Shkodrës si institucioni në varësi të së cilës është Teatri “Migjeni” është në fazën e diskutimit të projekt buxhetit të 2015-ës, dhe sipas burimeve të Neës24, as në këtë projekt buxhet nuk është planifikuar ndërhyrje rrënjësore në godinën e teatrit.
Dita e nesërme do sjellë një reagim zyrtar të përfaqësuesve të Bashkisë dhe drejtorit të teatrit, Angoni në lidhje me këtë çështje, që ngjalli pakënaqësi të mëdha tek aktorët e teatrit, por edhe në mbarë opinionin intelektual shkodran.
Edmond Angoni drejton teatrin “Migjeni” prej mëse 4 vitesh, gjatë ushtrimit të detyrës së tij nuk ka patur asnjë projekt apo shkresë-kërkese për rikonstruksionin e godinës. E vetmja shkresë ku paraqitet shqetësimi i tij për gjendjen e teatrit është kjo, e cila propozon në nënkuptim mbylljen e tij. Shkresa mban datën 04.02.2014, por burime pranë bashkisë bëjnë me dije se ajo ka mbërritur ne zyrën e kryetarit te Bashkisë vetëm 4 dite më parë, duke hedhur dyshime te forta se pse në këtë letër përcaktohet viti 2014 kur ajo u dorëzua në shkurt te 2015-ës, aq më tepër që jemi pak muaj larg datës së zgjedhjeve lokale.

REAGIMET E AKTORËVE TË TEATRIT “MIGJENI”

Merita Smaja
A mundet një njeri me u ndesh me një Perëndi?! Nuk beso! Një drejtor teatri është shume i vogël para një Teatri, i cili sidomos në Shkodër, në qytetin ku lindi dhe u rrit nuk mund të fshihet me një fjalë nga një person, qofte ky edhe drejtor sepse është mbi gjithçka. Është kulturë e një qyteti e flet me vitet e me arritjet e tij. E nëse një kryetar bashkie e pranon këtë fakt atëherë nuk kemi me as qytet. Nuk mund të quhesh qytet nëse nuk ke teatër, e në këtë qytet teatri ka mbushur 130 vjet. E Shkodra është, sepse teatri ka qene gjithmonë.
Rita Gjeka
Si çdo gjë që ndodh n’Shqipni, dojnë me ja hekë Shkodrës edhe dhëmballën e shëndoshte. Mjerim.
Simon Shkreli
Dashkan me mbyll… 2500 vjet traditë e një qyteti hidhet në erë.
Jozef Shiroka
Gjendja e teatrit ka shumë kohë që asht e mjerume! Kjo lënie pas dore asht e qëllimtë nga persona dhe institucione të caktuar! Të vetmit që e ndiejnë thellë dhimbjen janë trupa e teatrit të cilëve as mirmëngjes nuk po kujtohet ti thotë kush ma!!!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: