Policia e Tiranës ka nisur hetimet pas një kallëzimi të bërë nga gazetari Almer Toska se ishte kërcënuar nga vëllai i Igli Tares, Agron Tare. Pas disa deklaratave të bëra nga Toska në ‘Minuta e parë’ në News24 me Ola Brukon, fill pas emisionit, gazetari sqaron se ka marrë telefonata dhe mesazhe kërcënuese nga Tare.
“Procedimi nisi pas kallëzimit të bërë nga shtetasi A. T., 37 vjeç, me profesion gazetar, i cili ka kallëzuar se, pas daljes nga një studio televizive, ku kishte bërë deklarata lidhur me shtetasin I. T. dhe vëllain e tij, shtetasin A. T., ky i fundit e kishte kontaktuar në telefon dhe i kishte dërguar një mesazh, duke e ofenduar dhe duke i kërkuar të takoheshin.
Në lidhje me kallëzimin, është shoqëruar shtetasi A. T., i cili ka deklaruar se e kishte kontaktuar kallëzuesin për t’i kërkuar sqarime lidhur me deklaratat e bëra prej tij.”, sqaron policia.
