DURRËS- Ndarja nga jeta e një prej ikonave të komedisë shqiptare në moshën 78-vjeçare, Fadil Hasa ka qenë lajm i hidhur për adhuruesit e tij por më shumë për kolegët, për ata me të cilët punoi një jetë të tërë në Estradën e Durrësit.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj raportoi për “BalkanWeb” se Muharrem Hoxha, Aishe Stari, Roland Koca e regjisori Haxhi Rama e kanë dhënë lajmin e vdekjes së kolegut të tyre mes lotësh. Mëngjesin e sotëm një telefonatë nga vajza e Fadil Hasës në telefonin e Muharrem Hoxhës, shokut të ngushtë, njeriut më të afërt të aktorit dha lajmin e hidhur. Me lot në sy ajo tha se babai i saj nuk mundi t’ia dilte.

Hoxha Durres

Më pas Muharrem Hoxha ka njoftuar të gjithë kolegët. Ish-trupa e estradës është mbledhur brenda pak minutash në hollin e teatrit të Durrësit. Vajzat iu kërkuan kolegëve të babait që të organizonin edhe ceremoninë mortore dhe është vendosur që nesër nga ora 10 deri në 11 të zhvillohen homazhe në teatrit “Aleksandër Moisiu” për t’i dhënë lamtumirën e fundit kolosit të humorit shqiptar.

Muharrem Hoxha me lot në sy tha se Fadil Hasa ishte i pari që e mori për dore dhe e futi në teatër.
“Ai ishte babai im që më mësoi skenën. Sot në 11 e kishim lënë të takoheshim. Do shkoja në shtëpinë e tij. Kam shkuar këto ditë në shtëpinë e tij dhe ishte mirë, kemi qeshur, kemi bërë humor si zakonisht. Sot do shkoja në 11 sërish për vizitë. Por më mori vajza e tij në telefon dhe më dha lajmin e zi, të ndarjes nga jeta. 30 vjet më parë ai humbi gruan dhe iu përkushtua tërësisht vajzave të tij dhe nipërve e mbesave. Iu përkushtua shumë familjes pas humbjes së parakohshme të gruas, duke u bërë edhe nënë edhe babë”, tha mes lotësh artisti i merituar Muharrem Hoxha.

teatri Durres ok

Edhe aktori tjetër i estradës Roland Koça tha se Fadil Hasa ishte babai i humorit. “Humbëm babain e humorin, gjigandin e humorit. Ai që na bënte shumë për të qeshur, sot na ka mbytur në lot”, u shpreh Koça.

Po ashtu kolegia e tij, artistja e merituar Aishe Stari tha se kjo është një humbje jo vetëm për estradën por për gjithë Shqipërinë.

“Kam humbur jo vetëm kolegun por një njeri shumë të shtrenjtë, të cilin e kam pasur shok klase që në gjimnaz dhe madje për dekada me radhë kemi ndarë së bashku skenën e estradës, të teatrit. Kjo nuk është një humbje vetëm për teatrin e Durrësit por Shqipëria humbi një aktor të madh”, tha Aishe Stari.

Teatri Dures okok
Fadil Hasa iu bashkua skenës së teatrit profesionist në vitin 1974 duke shënuar me dhjetëra e qindra role të pashlyeshme në memorien e gjithë shqiptarëve, duke u bërë një nga aktorët më të dashur të publikut.

Me vdekjen e bashkëshortes së tij, në moshë të re, Fadil Hasa u tërhoq disi nga humori, megjithatë rolet e tij nuk harrohen duke u kujtuar brez pas brezi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb